Çështja e edukimit seksual në planprogramet shkollore është komplekse dhe shpeshherë është diskutuar gjithandej në botë, me opinione të ndryshme, bazuar në perspektiva sociale, kulturore, religjioze dhe shkencore.
Andaj, përtej debateve individuale dhe shoqërore, kjo temë kërkon studime dhe sqarime
bazuar në këndvështrime të rëndësishme, si dhe analizim në perspektiva të pavarura, varësisht prej vendeve që kanë filluar aplikimin e kësaj lënde, si dhe rreziqeve eventuale të ndërlidhura me këtë planprogram. Gjithnjë duhet pasur në fokus ruajtjen e shëndetit psiko-fizik të grupmoshave të reja, kohezionin e traditës, integritetit dhe dinjitetit njerëzor, si bazamente unikate për çdo shoqëri.
Duhet pasur parasysh se një program gjithëpërfshirës i edukimit seksual, nëse fillon të
zbatohet, nuk duhet të kopjohet (copy-paste) njësoj me vendet e tjera që e kanë aplikuar, por duhet të përshtatet sipas kornizës ligjore dhe nivelit socio-kulturor të shoqërisë sonë, duke mos cenuar vlerat universale morale dhe tradicionale, të cilat duhet vlerësuar dhe ruajtur si të shenjta.
1. Edukimi seksual gjithëpërfshirës
Përmbajtja e planprogramit të edukimit seksual mund të përfshijë tema të ndryshme, deri më tani të konsideruara si tabu, si orientimi seksual, marrëdhëniet intime, anatomia e njeriut, riprodhimi dhe kontracepsioni. Nxënësit mësojnë për këto tema edhe në lëndët e biologjisë, të cilat shpeshherë mund të konsiderohen të stërngarkuara. Përveç rolit informues, këto tema mund të kenë tendenca provokuese për nivelin psiko-fizik të grupmoshave përkatëse.
Për shembull, në lëndën e Biologjisë së klasës së VII, në kapitullin e riprodhimit dhe
sëmundjeve ngjitëse, ndër të tjera thuhet se: “Njerëzit mund të ruhen nga sëmundjet
seksualisht të transmetueshme nëse mësohen në përdorimin e sigurt të masave kontraceptive (kondomit).”
2. Respekti dhe dinjiteti njerëzor janë parime universale
Në vend të ndonjë lënde që nxit kompleksitetin dhe shton hiperaktivitetin degjenerues, në
shkollat tona janë të nevojshme lëndë edukative që promovojnë sjellje të moralshme dhe
përgjegjshme, respektin ndërgjinor, informimin e saktë rreth rrezikut dhe reduktimin e
prevalencës së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Këto lëndë duhet të parandalojnë amoralitetin dhe shtatëzanitë jashtëmartesore, duke inkurajuar qëndrime pozitive për diversitetin dhe barazinë gjinore.
3. Modeli i konsultimit të komunitetit dhe opinionit shoqëror
Është e domosdoshme që, para implementimit të ndonjë lënde të tillë, të merret edhe opinioni shoqëror për të marrë pjesë në programet e implementimit të saj. Kjo do të shpërndante përgjegjësinë ndaj fëmijëve, si kategori që mund të viktimizohet për shkak të moshës së tyre dhe paaftësisë për të dalluar dobinë dhe rrezikun për të ardhmen e tyre. Rreziku i ekspozimit të fëmijëve ndaj informacioneve të parakohshme dhe provokimeve
emocionale mund të çojë në bullizëm, manipulim, diskriminim dhe ngacmime seksuale, të
cilat ndalohen nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe ligjet vendore në fuqi.
4. Edukata seksuale sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë
Promovimi i shëndetit dhe mirëqenies kërkon padyshim edhe edukim seksual. Sipas
Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), qëllimi i edukimit gjithëpërfshirës seksual
(CSE) është t’u ofrojë njerëzve informacionin, aftësitë, qëndrimet dhe vlerat që u nevojiten
për të marrë vendime të përgjegjshme për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues. Kjo
edukatë duhet të jetë e përshtatshme për moshën, kulturalisht e ndjeshme dhe e bazuar në evidencë shkencore.
5. Elementet kryesore të strategjisë së edukimit seksual sipas OBSH-së
Kjo edukatë duhet të përfshijë një gamë të gjerë temash, si: Zhvillimi njerëzor (puberteti, riprodhimi, marrëdhëniet familjare dhe shoqërore); Dashuria reciproke dhe mirësjellja;
Parandalimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe abuzimit; Promovimi i diversitetit gjinor dhe respektit universal. Përndryshe, përpjekja për implementim të modeleve stereotipe, edhe pse mund të vijnë nga “vendet evropiane”, mund të shkaktojë një reaksion sensibilizues dhe provokues në shoqërinë tonë, që mund të kthehet si “bumerang” ndaj individëve apo institucioneve që, me apo pa vetëdije, mund të shkaktojnë dëmtime të pariparueshme dhe çrregullime bipolare në shoqëri. Sociologu Labinot Kunushevci, në librin e tij “Pasionet e Idiotëve”, shtron disa pyetje sociologjike mbi edukimin seksual të cilat ende nuk kanë marrë përgjigje për shkak se nuk ekziston një formë edukimi që e ofron këtë perspektivë me kompetencë në planprogramet aktuale. Të rinjtë sot, sipas Kunushevcit, duhet ta kuptojnë kompleksitetin e seksualitetit jo vetëm si proces fiziko-emocional apo si pasion, nevojë dhe mënyrë riprodhimi, por edhe si kulturë, si edukim, si sjellje, si shëndet, si raport, si faktor në familje dhe në shoqëri, me të gjitha implikimet që ka. Sa janë të vetëdijshëm të rinjtë që të përgjigjen në këto pyetje:
Cilat janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme?
Si duhet të mbrohen të rinjtë nga abuzimi dhe trafikimi seksual?
Cilat janë pasojat psikike dhe kulturore të pornografisë dhe të prostitucionit?
Si mund të mbrohen të rinjtë nga shantazhi ndaj integritetit fizik?
Si shprehet gjuha dhe mendësia seksiste?
Ku qëndron vija e hollë ndarëse në komunikimin privat dhe publik mbi seksin?
Ku qëndron kufiri dhe distanca në raportet nxënës – mësimdhënës apo student –
profesor?
Si duhet reaguar përballë ngacmimeve private dhe publike?
Si duhet kuptuar dhe trajtuar incestin?
Cilat janë rreziqet e viktimizimit seksual në rrjetet sociale?
Cilat janë pasojat e komunikimit dhe takimit me njerëzit e panjohur?
Çka është perversiteti dhe frustrimi seksual?
Çka është shtatzënia e padëshiruar dhe si duhet mbrojtur nga ajo?
Çka është aborti dhe cilat janë shkaqet dhe pasojat e tij?
Cila është lidhja e moralit me seksin?
Cili është raporti i kodit etik me veshjen publike?
Si krijohen dhe si duhet të thyhen iluzionet për seksin?
Çka është planifikimi familjar dhe cila është rëndësia e tij?
Çka është flirtimi dhe lidhjet në adoleshencë?
Cila janë pasojat e martesës së hershme, specifikisht pasojat e ndërprerjes së
shkollimit për shkak të martesës së hershme?
Përgatiti: Dr. Rrahman Ferizi