Ballina Kulturë Edicioni i 15-të: Butrinti antik jo si në “ëndrrën” e Shekspirit

Edicioni i 15-të: Butrinti antik jo si në “ëndrrën” e Shekspirit

Nga 13 korrik deri më 19 mbahet në skenën antike të Butrintit, edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit; një dokumentar jubilar dëshmon rezistencën e këtij festivali qysh prej krijimit duke kaluar nëpër aventurën e lloj-lloj ministrave që ikën e erdhën, pa mundur në asnjë rast të kapërcejnë “sfidën” financiare, një ngulmim e quan drejtori artistik, Alfred Bualoti që këtë vit sjell për herë të parë edhe teatrin kombëtar të Kinës

60 vjet më parë , themeluesi i Festivalit të Avignonit, Jean Vilar thoshte: “Po, ne duhet të ngulmojmë, të sakrifikojmë! Se nëse politikëbërësit apo të fortët e politikës nuk besojnë më te kultura, kjo do të thotë se ata nuk besojnë më te sovraniteti i popullit”. Kur përmend këtë thënie, Alfred Bualoti, drejtori historik i festivalit ndërkombëtar të teatrit Butrint 2000, ka parasysh edhe sipërmarrjen e tij, të nisur 15 vjet më parë: optimizëm, financim dhe trupa të jashtëzakonshme teatri nga Europa dhe Ballkani.

Një dosje shtypi që dëshmon debatin dhe tabutë që theu edhe vetë teatri shqiptar në atë skenë, qoftë si ballafaqim por dhe cilësi artistike. Premiera e regjisorë karriere, që janë shtangur e dashuruar njëkohësisht me skenën antike, me thirrjet e “kolegëve” të tyre nga thellësitë e 5 mijëvjeçarëve duke tronditur psikozën e tyre se teatri është i Aktorit. Kjo rezistencë pati jetën pothuaj vetëm një dekadë, edhe pse ishte ndër festivalet më jetëgjatë në vend, në përpjekje për t’u ngjarë simotrave, së paku rrotull rajonit, ku historia ka shpërfillur luftërat e politikën.

“Përballë dëshpërimit tonë nga politika, kultura dhe arti lind një politikë të re, që s’është aspak diçka simbolike, por një shembull emblematik i mishëruar nga ndjenja të sinqerta të shpirtit njerëzor. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” me ngulmimin e rezistencën e tij, me angazhimin e qindra artistëve nga mbarë bota, të cilët përbëjnë zërin e njerëzve që refuzojnë një botë të privuar kanë shprehur qartazi që mrekullia skenike, kuraja dhe shpresa do të përbënin doemos një zgjidhje, një të ardhme.

Të ngulmojmë që vendimet e ndryshimeve të mëdha mbi gjeneratat, të kalojnë nga kultura, pasi kjo është thelbësore për një shoqëri të civilizuar e të integruar. Edukimi fillon nga kultura dhe kultura është një edukim i vazhdueshëm. Duhet të ngulmojmë me ekzigjencën intelektuale, me besimin tek inteligjencia e publikut, tek angazhimi i artistëve dhe ndërgjegjësimi i poetit. Zelli dhe etja shpirtërore e publikut të shumtë në këto 15 edicione të Festivalit Butrintit i ka dhënë kurajë, shpresë dhe jetë, dëshirës së ndryshimeve në të ardhmen edhe pse shpesh rrethanat bëjnë të kundërtën. Padyshim që të besosh, të rezistosh e të ngulmosh, ky është destinacioni më i mirë i kulturës apo i Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit. Pra, ne kemi detyrën të rezistojmë e të ngulmojmë.

Këtë detyrë ky aktivitet emblematik i turizmit kulturor e ka për gjeneratat që vijnë, pasi nga kulturat e mijëvjeçarëve ne rrezikojmë harresën. Butrinti me Festivalin e tij është një xhevahir në gjirin e vendit, ai duhet të ekspozohet sa më bukur që të duket sa më i rrallë”, bën një “homazh” hyrës, drejtori i festivalit të Butrintit, Alfred Bualoti. Në këtë jubile, 15 vite nga organizimi mbrëmja e parë e 13 korrikut hapet me një dokumentar për përvjetorin e Festivalit. Në fletëpalosje shënohet hapje modeste, me njerëz të kulturës, që do të thotë se prej vitesh ky event edhe pse paratë shkojnë nga Ministria e Kulturës, është shpërfillur prej vetë këtij institucioni.

Ndërsa itinerari i përvitshëm, vendosur prej 13 korrikut deri më 19 korrik, prezanton një hartë artistike nga vende të largëta, si Kina, ndërsa mbrëmjet antike nisin me Variacione me motive nga këngëtarja tullace, e Ionescos, shfaqje performancë, me koreografi të konceptuar nga Gjergj Prevazi; Teatri “Thesis Theatre Company”, nga Athina vjen me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, Shekspirit, me regji të Michalis Sionas; Teatri “Migjeni” i Shkodrës zbret për herë të parë në Butrint, me shfaqjen “Kanarina blu” me skenar dhe regji të Stefan Çapalikut; Teatri i të rinjve, Tbilisi Geogia me shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë” të Shekspirit, mban një frymë tjetër lindore, me regji të Dimitri Khutsishvili; ndërsa për organizatorët e festivalit kulmi shënon ardhja e Teatrit Kombëtar të Kinës, me shfaqjen “Rikardi III”, një rast unik së paku për publikun shqiptar./Mesazhi/.

 

Exit mobile version