Edhe Roshi tërhiqet nga Shqipëria

Një ditë pas sulmuesit Bekim Balaj, edhe anësori Odise Roshi është pensionuar nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Në njoftimin e FSHF-së ,të enjten thuhet se Roshi apo siç njihej me nofkën “Raketa” ka marrë vendimin për t’u pensionuar nga “kuqezinjtë”.

Roshin, federata e ka përshkruar si autor të shumë asistimeve dhe 5 golave me fanellën e Shqipërisë, duke e falëndëruar për kontributin.

“Federata e Futbollit shpreh mirënjohjen për kontributin që Roshi ka dhënë me fanellën kuqezi, duke qenë pjesë e skuadrës historike që u kualifikua dhe luajti në Euro 2016! Faleminderit Odise!”, ka shkruar ndër të tjera FSHF-ja.

33-vjeçari me Shqipërinë ka debutuar në dhjetor të vitit 2011 kundër Francës, ndërsa ndeshjen e fundit, Roshi e ka luajtur kundër Italisë në miqësoren e vitit 2022.

Në total, Roshi ka regjistruar 70 paraqitje me Shqipërinë, ku krahas 5 golave të shënuar, ai ka dhuruar edhe 15 asistime.