Edhe presidenti Thaçi kundër protestës: Ndjehem krenar që disa vite më parë isha pjesë kur u vendos gurthemeli i Xhamisë

Sot është mbajtur protesta në Prishtinë e thirrur kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe.

Përpos atyre që protestuan kundër ndërtimit të xhamisë, aty pat disa qytetarë që e kundërshtuan këtë protestë.

E për këtë protestë kanë reaguar edhe liderët politikë.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi përmes një statusi në Facebook, ka thën se ndjehet krenar që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vunë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë.

Thaci ka thënë se protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë. Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë. Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern. Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj! HTH”, ka shkruar Thaçi në statusin e tij në Facebook.