A ka vdekur komunizmi në trojet tona? Cila është fuqia e pinjollëve të komunizmit në mesin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut? Cila është kështjella e tyre më e fuqishme, pas së cilës fshihen edhe sot e kësaj dite? A po arrijnë ta realizojnë projektin e tyre, por tani me forma tjera? A janë sot komunistët mit apo realitet? Ku gjendet Serbia në këtë mes me UDB-në e saj të famshme? A ka logjikë sot, kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO e NATO është në Kosovë, të kemi drojë nga komunistët? Pyetjet janë të shumta, përgjigjet edhe më të shumta?
Shkruan: Ismail SINANI
Tetë dekada pas themelimit të shtetit shqiptar nën diktaturën komuniste, vazhdon të ngelet enigmë e pashpjeguar se çfarë ka qenë komunizmi në Shqipëri veçmas, por edhe në krahasim me ish-Jugosllavinë dhe vendet e tjera komuniste dhe cili ka qenë roli i Sigurimit Shqiptar dhe i UDB-së në funksion të atyre sistemeve, në veçanti, por edhe të simbiozës së tyre, në përgjithësi?
Sot, mbi 30 vjet pas përfundimit të kësaj periudhe të errët, më të errët të kombit tonë, kur futemi pak më thellë, po e shohim se sa vështirë po arrijmë të shkëputemi nga forcat e gravitetit të atij sistemi.
Në Shqipëri vazhdojmë të kemi një aparat shtetëror, i cili po qe se gërvishtet pak, do të shohim se kryesisht përbëhet nga pasardhësit e atyre që i vendosën konturet e diktaturës nga viti 1943 e këndej.
Zaten, kur shikohet rënia e komunizmit në Shqipëri, më shumë i ngjan një inercioni sesa një revolucioni që ndodhi në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Madje, dihet botërisht se Shqipëria ishte vagoni i fundit në “luftën” antikomuniste. Argumente se në Shqipëri nuk pati revolucion ka me mori. Por, mjafton fakti se asnjë nga ata politikanë, gjykatës, prokurorë e sigurimsa, nuk e përjetoi thuajse as edhe një ndëshkim më të voglin për të bëmat 50-vjeçare. E të bëmat janë të shumta: mijëra të vrarë e të persekutuar e dhjetëra mijëra të internuar…
Se komunizmi nuk ka rënë asnjëherë ashtu siç kemi dëshirë apo siç e imagjinojmë, shihet qartë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Deri më sot, në asnjërin nga këto vende nuk është ndjerë prezenca e një klase politike disidente ose antikomuniste, që do ta përmbyste regjimin komunist dhe do të vendoste demokraci të mirëfilltë në vendet tona. Për Shqipërinë, u tha pak më lart, kurse për Kosovën e Maqedoninë e Veriut dihet mirëfilli se ata që e quajtën veten disidentë zakonisht vinin nga një matricë marksiste-leniniste… E për t’u krijuar hutia edhe më e madhe, zbulimet e dosjeve, kohë pas kohe, i shtojnë edhe më tepër dilemat se kush në të vërtetë ishin dhe janë këta njerëz, enveristë në zemër, guerilë në një periudhë të caktuar dhe milionerë e pushtetarë në vepër? Gjithsesi këtu fjala është për lidershipin e këtyre lëvizjeve dhe jo edhe për ata që iu përgjigjen kushtrimit.
E kur jemi te UDB-ja, shpesh duket sikur ky shërbim inteligjent ka punuar ngushtë edhe me Sigurimin Shqiptar, pa çka se “zyrtarisht” Shqipëria ka qenë e pozicionuar si shtet antijugosllav. Fundja, themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë nga një serb dhe një malazez, do të mjaftonte për ta kuptuar se kush edhe e ka themeluar Sigurimin Shqiptar në mesin e viteve të ’40-ta të shekullit të kaluar.
Ndaj është paksa e habitshme kur shihet se, kohëve të fundit, te shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe Kosovë ndjehet një përpjekje e përfaqësuesve të ilegales shqiptare në ish Jugosllavi, që të gjithë marksistë e leninistë e ithtarë të Enver Hoxhës, të dëshmojnë se Shqipëria e Enverit, bashkë me ta, i ka shërbyer kombit shqiptar, në këtë rast Kosovës, në veçanti, dhe shqiptarëve në ish Jugosllavi, në përgjithësi. A thua pse? Çfarë fshihet pas kësaj tendence retueshuese?!
Prandaj po shihet qartë se ndonëse “zyrtarisht” të dalë nga një sistem gjysmëshekullor komunist, shqiptarët sikur ende vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e monizmit. Ndaj parashtrohet pyetja: a kemi nevojë për një dekomunistizim dhe si mund të bëhet ky te shqiptarët? Apo, vlen ajo deviza komuniste në ish Jugosllavi “edhe pas Titos, Tito”, që thënë me ironi, do të tingëllonte si “edhe pas komunizmit, komunizmi”? /revistashenja