Edhe Partia e Drejtësisë kundër demarkacionit

Tani kur u bë zyrtare dita e votimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe deputetët kanë filluar t’i tregojnë votat e tyre qofshin ato për apo kundër këtij votimi.

Përkitazi me këtë çështje Partia e Drejtësisë ka mbajtur një mbledhje urgjente në të cilën janë diskutuar temat aktuale politike në vend dhe mundësia e daljes nga Qeveria. Zërat brenda kryesisë se PD-së kanë argumentuar se kjo parti kurrsesi nuk guxon ta votojë demarkacionin, asociacionin dhe ndarjen administrative të veriut dhe kjo e fundit pritet që shumë shpejt të konkretizohet nga U.D. të MPHA, z. Ferat Shala, i cili këtë dikaster e ka marrë nga PD. Diskutimet brenda kryesisë së kësaj partie e shtyn deputeten nga radhët e PD-së, znj. Labinotë Demin Murtezin të deklarohet sot se nuk do të votojë demarkacionin. Ende nuk është e qartë nëse ky veprim i deputetes Demi do të ketë reperkusione direkte në prishjen e marrëveshjes së koalicionit me PDK-në. Gjithashtu, zërat brenda PD-së bëjnë të ditur se kjo parti shumë shpejt do të reformohet rrënjësisht.

Tesheshi.com kërkoi nga deputetja Demi-Murtezi një prononcim lidhur me votën e saj pro ose kundër demarkacionit, ndërsa ajo na referoi te statusin e saj në Facebook.

“Pas disa lajmeve të lexuara në portalet tona se votën time për çështjen e demarkacionit do t’ia besoj grupit parlamentar, më lejoni t’u jap një sqarim për ju.

Vota e secilit deputet e ka peshën e vet. Një vendim i rëndësisë së veçantë siç është demarkacioni me Malin e Zi, është përgjegjësi e madhe individuale e jona, karshi votuesve tanë, por mbi të gjitha karshi integritetit të vendit tonë. Unë si deputete dhe Partia e Drejtësisë, kemi dënuar aktet e dhunshme në Kuvend dhe sjelljet jodemokratike, ashtu siç në të njëjtën kohë kemi përcjellë me vëmendje të gjitha diskutimet dhe debatin shkencor në Kuvend lidhur me këtë çështje.

Komisioni shtetëror i ngarkuar për këtë çështje, nuk është përgjigjur në disa prej pyetjeve që u janë drejtuar pikërisht nga deputetët, e që kanë qenë pyetje krruciale sa i përket çështjes. Ka pasur shumë vërejtje sa i përket bazës ligjore për procesin e demarkimit, shumë kundër argumente të ofruara nga komisioni profesional, mosrespektimi i procedurave të konsultimit me Kuvendin para se të nënshkruhet, dhe mbi këtë bazë them se kjo formë e demarkacionit nuk duhet të votohet.

Konsideroj se në emër të fqinjësisë së mirë, Kosova dhe Mali i Zi duhet ta rishikojnë me kujdes dhe përgjegjësi më të lartë demarkimin e kufirit tonë të përbashkët.”