Edhe një rast i ri me Covid-19 në Kosovë, numri shkon në 126

Në Kosovë është shënuar edhe një rast i ri me Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se sot pasdite ka përfunduar testimi i 58 pacientëve të dyshimtë nga Klinika Infektive dhe Klinika e Pulmologjisë, ku një (1) prej të cilëve rezultoi pozitive.

IKSHPK ka thënë se do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe do të testohen.

Ky institut iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet dhe të ndjekin rekomandimet e dhënë.

Madje, ka paralajmëruar se nëse qytetarët nuk u përmbahen rekomandimeve, ka shumë rrezik që pandemia të përhapet.

“Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”.

“Por, nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare”.