Edhe sa raste të këtilla makabre na duhen, e që ne të fillojmë e ta trajtojmë seriozisht këtë fenomen i cili po bënë hatanë për ditë e më shumë në shoqërinë tonë?! Po them seriozisht, sepse sporadikisht dhe me rastin e ndodhjes së këtyre krimeve, trajtohet ky fenomen nga mediet aty për aty dhe nga ndonjë aktivist/e i mbrojtjes së të drejtave të grave dhe mandej harrohet si problem serioz me të cilin ballafaqohemi si shoqëri.
Ne duhet të jemi të vetdishëm se ky problem jo vetëm se është prezent, por edhe është në rritje numri i rasteve të vrasjeve të grave nga burrat me arsye prej më të ndryshmeve e të cilat në fakt nuk justifikohen në asnjë mënyrë as nga ligji dhe as nga sheriati ynë islam. Islami ynë i bukur, jo rastësisht edhe pse e llogaritë të lejuarën më të urrejtur, prap e ka lejuar divorcin në rastet kur jeta martesore bëhet e padurueshme dhe e pamundur të vazhdohet më tutje. Ky është dhe duhet të jetë kulmi i mospajtimit dhe mosdurimit të palës tjetër në jetën bashkëshortore dhe assesi jo vrasja e partneres për çfarëdo arsye apo shkaku.
Pa dashur me e zgjatë në këtë rast, do ftoja institucionet tona, intelektualët, aktivistët/et dhe mediet, t’i bashkrendisim punët dhe t’i rrekemi trajtimit të këtij fenomeni me koka të të ftohta dhe duke i përfshirë të gjitha shtresat që mund të kontribuojnë dhe duke vendosur një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për zgjidhjen e këtij problemi në rritje dhe i cili për çdo ditë po shkon duke i betonu qëndrimet ekstremiste maskuliste të burrave me mustaqe dhe në anën tjetër duke e rritur “diktaturën” feministe nga një grup i aktivisteve për mbrojtjen e të drejtave të grave e që as njëra dhe as tjetra palë nuk i kontribuon zgjidhjes, por vetëm rritjes së problemit, gjë që edhe po na ndodh tash e sa vite.
Nga Hoxhë Husamedin Abazi