Një tjetër gjykatë federale vendosi kundër urdhrit të modifikuar ekzekutiv të Donald Trump, për të kufizuar udhëtimet drejt SHBA, nga gjashtë vende, kryesisht myslimane.
Vendimi i marrë nga tre gjyqtarët e gjykatës së apeleve, përbën një tjetër humbje të hidhur, pas asaj të shkaktuar nga një tjetër gjykatë, që refuzoi të kthente në fuqi urdhrin e parë ekzekutiv të Trump, në shkurt.
Në vendimin më të fundit, gjyqtarët u shprehën se presidenti, përmes urdhrit ekzekutiv, kapërceu autoritetin që i është dhënë nga kongresi.
Gjykata e Apelit konfirmoi gjerësisht vendimin e një gjykatësi në Hawaii, i cili në Mars tha se masat e parashikuara në urdhrin e Trump, shkelnin kushtetutën, sepse vetë qëllimi i urdhrit ishte kundër myslimanëve.
Qëllimi i urdhrit ekzekutiv ishte të ndalonte hyrjet në SHBA, të njerëzve nga gjashtë vende myslimane, pikërisht Libia, Siria, Irani, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Urdhri gjithashtu ndalonte çdo formë emigrimi për 120 ditë.
Nuk ka dyshim se administrata Trump, do ta apelojë vendimin në gjykatën e lartë, e cila aktualisht po shqyrton një çështje të ngjashme nga gjykatat e apeleve të Virxhinias.