Portieri Manuel Neuer ka njoftuar tërheqjen pas më shumë se 15 vjetësh nga Përfaqësuesja e Gjermanisë. Lajmin për tërheqjen nga përfaqësuesja gjermane e futbollit ka bërë të ditur të mërkurën nëpërmjet një video në rrjetet sociale. “Të dashur tifozë, e dashur Gjermani. Në një moment kjo ditë duhej të vinte. Sot përfundova karrierën time me Gjermaninë. Ky vendim nuk ishte aspak i lehtë për mua. Kanë kaluar më shumë se 15 vjet që nga debutimi im. Kemi pasur ulje-ngritje me përfaqësuesen. Fitorja në stadiumin Maracana ndaj Argjentinës, ku u bëmë kampionë bote është kulmi i karrierës time. Kur e mendoj të kaluarën, më mbush me krenari dhe mirënjohje. Ka qenë kënaqësi që së bashku me shokët e mi i shërbeva edhe si kapiten Gjermanisë për shtatë vjet. Jam i lumtur që pas kësaj arrita të paraqitem edhe në Evropianin e organizuar në shtëpi”, ka thënë Neuer.
Ai më pas ka falënderuar të gjithë për mbështetjen.
“Falënderimet e mia shkojnë për gjithë ata që punojnë në Federatë. Së pari, kryesorët, natyrisht, trajnerët, trajnerët e portierëve dhe gjithë anëtarët e stafit. Ne ishim vërtetë një familje dhe mbi të gjitha, bashkëlojtarët e mi, me të cilët ishte gjithmonë kënaqësi të ndaja fushën”.
Ai ka falënderuar edhe tifozët.
“Sigurisht, falënderimet e mia të veçanta shkojnë edhe për ju të dashur tifozë. Ju gjithmonë më keni mbështetur në të gjitha situatat, pavarësisht rezultateve. Personalisht më ka bërë të ndihem mirë gjatë kohës sa e kam veshur fanellën e Gjermanisë. Faleminderit shumë”, ka thënë Neuer.
Si numri një i Gjermanisë, Neuer ka vendosur rekorde të shumta dhe ka fituar trofe. Mbi të gjitha është fitues i Kupës së Botës në vitin 2014 në Brazil. Neuer luajti rol të madh në fitoren e Kupës së Botës me paradat, reflekset dhe aftësitë e tij të portierit. Neuerit iu dha “Dorëza e Artë” si portieri më i mirë në Kupën e Botës “Brazili 2014”. Në total, ai luajti 124 ndeshje për ekipin e parë të Gjermanisë, që është rekord. Me 20 paraqitje në Evropianin “Gjermania 2024”, Neuer është bërë po ashtu rekordmen për paraqitje me fanellën e Gjermanisë.
Ai nisi karrierën e tij me Gjermaninë më 2 qershor të vitit 2009. Debutoi në ndeshjen e Kupës së Botës të vitit 2010 kundër Emirateve të Bashkuara Arabe. Neuer ishte kapiten i Gjermanisë në 61 ndeshje. Vetëm Lothar Matthaus ka mbajtur më shumë shiritin e kapitenit te Gjermania.
Të hënën largimin nga Gjermania e njoftuan edhe kapiteni Ilkay Gundogan dhe Thomas Mueller.
Neueri është lojtari tjetër i madh i Gjermanisë që po largohet nga përfaqësuesja. Ai me Bayern Muenchenin ka kontratë deri në verën e vitit 2025.