Virusi Sars CoV-2 përpos që preku shëndetin e shumë qytetarëve, ndikoi mjaftë keq edhe në zhvillimin ekonomik dhe në sfera të ndryshme anembanë botës.
Por si shkak i pandemisë COVID-19, pasoja të mëdha patën edhe nxënësit të cilët nuk arritën të ndjekin mësimin siç duhet, disa herë online e në disa raste nuk arritën të përmbushin orët mësimore siç duhet.
Pavarësisht se mësimi nuk është zhvilluar në suaza të normales, mësimdhënësit në Kosovë që nga muaji mars kur edhe u konfirmuan rastet e para me COVID-19, u paguan me paga të plota.
Pagat e plota iu dhanë edhe kur mësimi nuk është mbajtur me prezencë në shkollë, por që mësimdhënësit janë angazhuar në mësimin online gjatë gjithë kohës.Në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit dhënë për lajmi.net u tha se deri më tani shkollat janë duke i respektuar në përgjithësi udhëzimet e dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë si dhe IKSHP-ja.
“Përkatësisht, mësimdhënësit gjatë gjithë kohës kanë punuar bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokollin e reagimit ndaj pandemisë COVID-19. Shkollat nuk janë mbyllur, por mësimi është organizuar dhe po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe ai nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë e Arsimit.
Gjithashtu u theksua se deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj virusit COVID-19, së bashku me të gjitha dokumentet tjera.Numri i shkollave të cilat janë duke organizuar mësimin në skenarin C apo mësimi nga distanca sipas komunave është dhjetë, teksa pjesa tjetër janë duke organizuar mësimin sipas skenarit A dhe skenarit B.
“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit, i datës 11.12.2020 numri i shkollave të cilat janë duke organizuar mësimin në skenarin C sipas komunave është 10. Ndërkaq pjesa tjetër po organizon mësimin sipas skenarit A dhe skenarit B (sipas vendimit të ministrit për fillimin e vitit shkollor). Inspektorati i arsimit është në terren duke monitoruar gjendjen në shkolla në baza ditore dhe zbatueshmërinë e udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pademie; të njëjtat raporte nga inspektorati MASh i pranon çdo ditë”, u tha tutje nga MA.
Ndryshe që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 janë mbi 2000 mësimdhënës dhe mbi 1 mijë nxënës të infektuar me koronavirus anembanë Kosovës