Edhe këtë vit pa ushtri

Ndërrimi i misionit të FSK-së në ushtri tani është i lidhur ngushtë me shpejtësinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

E sipas njohësve të proceseve politike dhe juridike në vend, as njëra e as tjetra nuk pritet të ndodhin brenda pak muajve, siç paralajmëroi presidenti Thaçi në fjalimin e tij në Koshare ditën e djeshme, shkruan “Zëri”.

Bashkërendimi me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në dhe aprovimi i tyre, sipas analistëve kosovarë, është i domosdoshëm. E për “aventurën” e presidentit Thaçi ka edhe të tillë që ia kërkojnë dorëheqjen si akt moral.

Në anën tjetër, opozita kosovare edhe njëherë ka thënë se Kosova ka humbur mjaft kohë në kompletimin e sektorit të sigurisë.

Sipas tyre, është e papranueshme që të pritet në “përjetësi” amini i një force politike e cila lidershipin e ka në Beograd.

Kurse, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që mos t’i pranojë më aventurat e presidentit Thaçi.