Jordania i është bashkuar Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera dhe paralajmëroi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i qeverisë së Jordanisë, Mohammad Momani, sot në mëngjes njoftoi se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Katarin ka për qëllim forcimin e stabilitetit rajonal në themelet e harmonizimit të politikave me botën arabe.
Amani zyrtar po ashtu paralajmëroi heqjen e liçencës së kanalit televiziv Al Jazeera. Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Egjipti të hënën ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, të cilin e akuzojnë për destabilizim të rajonit dhe mbështetje të terrorizmit.
Dje marrëdhëniet me Katarin i ndërprenë edhe Maldivet dhe Mauritania. Në krye me Arabinë Saudite, vendet në fjalë bllokuan edhe hapësirën ajrore të Katarit, dhe i dhanë afat prej 48 orësh ambasadorit të Katarit që të braktisë vendin.
Kriza në marrëdhëniet e vendeve të Gjirit filloi javën e kaluar kur disa sulmues të panjohur hakuan faqen e internetit të agjencisë së lajmeve të Katarit dhe publikuan lajme të titulluara me emirin e Katarit sheik Tamima Bin Hamada al-Thani.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehu gatishmëri që të ndërmjetësojë në negociatat mes Katarit dhe grupit të vendeve që kanë ndërprerë marrëdhëniet me këtë vend.
Autoritetet e Katarit pohojnë se akuzat në llogari të këtij vendi janë të pabaza dhe të shpikura, ndërsa shefi i diplomacisë Mohammed bin Abdulrahman al-Thani deklaroi se Doha është e gatshme për negociata.