ECHR: Letonia dhe Polonia t’u ofrojnë ndihmë emigrantëve në kufirin me Bjellorusinë

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) u bëri thirrje Polonisë dhe Letonisë të sigurojnë ndihmë për emigrantët në kufirin me Bjellorusinë, deri më 15 shtator.

“Gjykata kërkoi që autoritetet letoneze dhe polake “t’u sigurojnë të gjithë aplikantëve ushqim, ujë, veshje, kujdes mjekësor dhe, nëse është e mundur, streha të përkohshme”, sipas një deklarate.

“Kjo masë nuk nënkupton që Polonia ose Letonia t’i lejojë aplikuesit të hyjnë në territorin e tyre”, thanë gjyqtarët evropianë.

Sipas deklaratës së gjykatës, këta njerëz “kërkojnë të hyjnë ose në Letoni, ose Poloni, me qëllim që të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”.

Mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë kaluar kufirin bjelloruso-evropian muajt e fundit, në atë që Bashkimi Evropian e sheh si një formë hakmarrjeje nga regjimi bjellorus ndaj sanksioneve gjithnjë e më të ashpra të vendosura prej tij. /atsh