Në Emiratet e Bashkuara Arabe për një vizitë zyrtare 2-ditore, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Yair Lapid, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Ambasadës së vendit të tij në Abu-Dabi.
Yair Lapid deklaroi gjatë fjalës së rastit pas inaugurimit të objektit diplomatik se arkitekti i marrëveshjes së normalizimit të nënshkruar mes EBA-së dhe Izraelit vitin e kaluar ishte ish-Kryeministri Benjamin Netanyahu, të cilin e falënderoi me këtë rast.
Duke e përshkruar hapjen e objektit të Ambasadës në Abu-Dabi si një moment historik, Lapid tha: “Marrëveshjet nënshkruhen midis udhëheqësve, por paqja realizohet nga popujt. Ajo që ne po bëjmë sot nuk është fundi i këtij procesi, por vetëm fillimi.”
Shefi i diplomacisë izraelite theksoi gjithashtu se vendi i tij aspiron të jetë në paqe me të gjitha shtetet fqinje.
E pranishme në ceremoni ishte edhe Noura bint Mohammed al-Kaabi, ministre e Kulturës dhe Zhvillimit të Njohurive të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Lapid, ministri i parë izraelit që viziton Emiratet e Bashkuara Arabe pas marrëveshjes së normalizimit të nënshkruar vitin e kaluar, do të përurojë gjithashtu ndërtesën e Konsullatës së Izraelit në Dubai dhe pavijonin e vendit të tij në Ekspozitën Universale (nga 1 tetori 2021 deri më 31 mars 2022).
Kurse ambasadori i Izraelit në EBA, Eitan Naeh, u shpreh të martën përmes rrjetit social “Twitter” me këto fjalë: “Kam 30 vjet eksperiencë si diplomat, por të shohësh blunë dhe të bardhën këtu në aeroportin e Abu-Dabit, ndërsa pret që ministri i punëve të jashtme të zbresë – është emocionuese!” trt