Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, lidhur me sulmin me automjet në afërsi të xhamisë Finsbury në veri të Londrës tha se “Ky sulm në afërsi të vendit të adhurimit të tyre, ishte një sulm ndaj muslimanëve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas mbledhjes urgjente të kabinetit qeveritar, May, në një deklaratë për mediat para ndërtesës së Qeverisë tha se rreth orës 00.20 një person me makinën e tij ka përplasur personat të cilit dilnin nga xhamia Finsbury, në veri të Londrës. Ajo bëri të ditur se policia britanike ka ndërhyrë në sulm për një minutë.
May po ashtu bëri të ditur se policia 8 minuta pas incidentit ka identifikuar ngjarjen si “rast të terrorizmit” dhe se ka arrestuar sulmuesin e bardhë 48 vjeçar në vendin e ngjarjes.
Duke u shprehur se forcat e sigurisë po besojnë që sulmuesi ka vepruar i vetëm, May tha se, “Policia britanike do t’i vlerësojë nevojat e sigurisë së xhamive dhe do t’u mundësojë burime shtesë. Sidomos në javën e fundit të muajit të Ramazanit, muaj i cili ka rëndësi të madhe për gjithë popullin musliman, ky sulm në afërsi të vendit të adhurimit të tyre ishte një sulm ndaj muslimanëve. Çdo lloj i terrorizmit, çfarë do mënyre qoftë, ka të njëjtin qëllim themelor: mundohet që të na ndajë nga njëri-tjetri, dhe si objektiv ka shkatërrimin e lidhjeve të solidaritetit dhe të qytetarisë të cilat ne i ndajmë në këtë shtet tejet të rëndësishëm. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”.
May, duke u shprehur se liritë themelore si ajo e shprehjes, besimit dhe adhurimit mbajnë të bashkuar komunitetet, tha se “Ne në këtë mëngjes u përballëm me përpjekjen e shkatërrimit të lirive tona”.
“Ashtu si thashë para dy javësh këtu, me vite të gjata në këtë shtet ekstremizmi është toleruar shumë. Kjo duke përfshirë edhe islamofobinë, përfshin të gjitha llojet e ekstremizmit. Për këtë arsye, qeveria jonë do të punojë për ta çrrënjosur ideologjinë dhe gjuhën e urrejtjes së ekstremistëve”, tha May.
Ajo po ashtu bëri të ditur se Britania e Madhe do ta rishikojë strategjinë e luftimit të terrorizmit dhe se do të formojnë një komision të ri për luftimin e ekstremizmit.