Këto dy qëndrime janë në dukje të kundërta me njëra-tjetrën.
Këto qëndrime nuk janë të veçanta për periudha të caktuara të historisë 14-shekullore të Umetit të Muhamedit a.s.. Këto dy qëndrime janë dy linja që kanë ekzistuar nën një përmbajtje dhe formë tjetër në çdo periudhë, dhe janë akoma edhe sot. Ajo që është interesante është se këto dy linja në dukje të kundërta me njëra-tjetrën por që prodhojnë të njëjtin rezultat: përjashtimin e Pejgamberit a.s. nga jeta.
Lartësimi i tepërt, i vetëdijshëm ose jo, është një qëndrim që shpesh rezultoi me hyjnizimin e njeriut. Çdo lloj mbinjerëzimi apo hyjnizimi është një qasje që mohon misionin shembullor të Profetit. Për këtë arsye, justifikimi i parë i paraqitur nga pothuajse të gjitha shoqëritë rebele dhe mohuese që iu kthyen shpinën mesazheve të Profetëve dërguar atyre ishte të kërkonin një “profet engjëll”. Sikur se i përshkruan Zoti: “Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi”.
Motivi i vetëm që qëndron pas engjëllimit apo hyjnizimit është përjashtimi nga jeta. Të dy veprimet glorifikimi dhe mohimi, që duket se janë e kundërta e njëra tjetrës, vijnë dhe takohen në përjashtimin e Muhamedit a.s. nga jeta.
Kurani derisa paraqet profetët si më të mirët e njerëzimit, megjithate, në mënyrë që të parandalojë glorifikimin e tyre apo hyjnizimin e tyre, relativizon në disa fusha (përveç atë qe kishte të bënte me shpalljen) jetën e të Dërguarve të Tij, si shembull” Shkeljen e urdhrit hyjnor nga Ademi a.s (Bekare 36 e tutje), Aksidentin e Musaut qe përfundoi me vdekjen e një njeriu e para se të bëhej profet (Kasas 15), “Ikjen” e Junusit nga vendi i tij i detyrës (Safat 140), Djalin i Nuhut (Hud 42) i cili këmbënguli në mohim, Babanë e Ibrahimit si prodhues i idhujve (Enam 74), Gruan rebele te Lutit (Hud 83) realisht gjitha këto tregime janë thirrje për të qenë sa më shumë të arsyeshem me jetën Pejgamberëve të Zotit.
Nuk ishte e lehte për një mendje të asaj kohë të mbante Pejgamberin alejhi selam në nivelin që duhej, kur e kemi parasyesh nivelin e përdorimit të poezisë për të lavdëruar të gjallët, ose elegjia e bazuar në lavdërimin e tepruar të vdekurve, ose satira e bazuar në kritikën e tepruar (uljen e tepruar) ndaj të gjallëve dhe të vdekurve.
Fakti që këto janë llojet më të njohura të poezisë në injorancë, pasqyron më së miri mendësinë nomade të asaj periudhe, zbulon cilësinë sensuale të mendësisë injorante. Poema, e mbërthyer ndërmjet Lëvdatës-elegjisë dhe satirës, zbuloi një tipar tjetër themelor të mendjes së injorancës: Ishte se kjo mendje nuk bazohej në përzgjedhje, por në shitjen me shumicë, jo në shpjegim por në ekzagjerim. Prandaj u dashte shumë punë për ta frenuar këtë mendje!
Kur’ani vazhdimisht u thoshte: “Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)?” ( Al- i Imran 144). Ky mesazh ishte që t’i jepte qëndrueshmëri mendësisë përzgjedhëse. Kurani po ashtu duke e bere vet Profetin të thoshte “Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, (Kehf 110) e trajnonte edhe mendjen e profetit. Përsëri, “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër”( Ahzab 21) Ajeti e kufizoi shembullin e Profetit në një mënyrë të arsyeshme dhe të mundshme, me fjalën “fi Rasulillahi” Në vend që të thoshte “I Dërguari i Allahut është një shembull”, ai në mënyrë selektive tha “Në të Dërguarin e Zotit”. Ky është gjithashtu një selektivitet.
Shiqojeni si reagoi Pejgamberi a.s. me rastin e vdekjes së birit të tij Ibrahimit. Një eklips i plotë diellor ndodhi ditën që Ibrahimi, djali i Profetit vdiq. Kjo ngjarje e papritur u pranua nga publiku si një shenjë që natyra gjithashtu mori pjesë në zinë e Profetit. Sidoqoftë, ai menjëherë korrigjoi gabimin e kësaj ideje të njerëzve, e cila është vepër e “arsyes së veçantë”. Ai bëri atë që beri zakonisht në situatat shumë urgjente. Ai shkoi në hutbe dhe paralajmëroi njerëzit: “Hëna dhe dielli janë një ajet nga ajetet e Allahut dhe Zoti nuk do ta ndryshojë ajetin e tij për vdekjen e djalit të Muhamedit ose lindjen e një njeriu tjetër”.
Pikëtakimi i të gjitha shoqërive që nuk donin ta kthenin shpalljen në jetë, unanimisht kundërshtuan profetin njerëzor dhe kërkuan në vend të tij një profet engjëll. Arsyeja më themelore në mënyrë të pavetëdijshme për të kundërshtuar profetin njerëzor është se ai është dikush që është “i mundur të merret si shembull”. Logjika e kërkimit të një profeti engjëll është e njëjtë: jo si një profet njeri, i cili është subjekti që transformon jetën, por një profet jashtë jetës madje mbi jetën i cili nuk mund të imitohet, nuk mund të prodhohet, nuk mund të merret si shembull por vetëm përfitohet nga ‘bollëku’ i tij dhe bekohet nga ai.
Sot, Umeti Muhamed është “privuar” nga mundësia për të kërkuar një profet engjëll, ashtu si shoqëritë e Nuhut, Adit, Themudit dhe Faraonit para tij . Sidoqoftë, duke u përpjekur të plotësojnë boshllëkun e këtij privimi, ndonjëherë në mënyrë të pavetëdijshme e paraqesin të Dërguarin si një qenie të mbinatyrshme njerëzore, në fakt, me këtë rrezikohemi të bëhemi partner të shoqërive që i kthejnë shpinën shpalljes së Zotit, me arsyetimin se është e pazbatueshme në jetë.
Halil Avdulli