Më shumë se dy vjet prejse pushtimi i Rusisë ua ndryshoi jetën, futbollistët e Ukrainës janë vetëm një ndeshje larg arritjes në Kampionatin Evropian.
Mykhailo Mudryk ishte në bankën rezervë te Chelsea së fundmi, por sulmuesi i talentuar mund të jetë vendimtar në shanset e Ukrainës për ta mposhtur Islandën të martën në finale të plejofit.
Ndeshja ndërmjet Ukrainës dhe Islandës nis në orën 20:45. Fituesi kualifikohet në “Euro 2024”.
Sulmet me raketa në kryeqytetin ukrainas, Kiev, të hënën, ishte një rikujtim për rrezikun e vazhdueshëm në shtëpi. Përafërsisht gjysma e skuadrës luan në ligën ukrainase, aty ku ndeshjet organizohen pa tifozë dhe ndonjëherë ndërpriten nga alarmet për rrezik.
e së martës teknikisht është në shtëpi për Ukrainën, por shkaku i luftës do të zhvillohet në qytetin e Polonisë, Wroclaw.
Polonia ka hapur dyert për shumë qytetarë ukrainas që i braktisën shtëpitë e tyre dhe pritet të jetë një numër i madh i tifozëve, ashtu siç ishte në vitin e kaluar kur kampioni i boksit, Oleksandr Usyk, e mposhti boksierin Daniel Dubois në të njëjtin vend.
Mudryk asnjëherë nuk ka luajtur ndeshje të përfaqësueses në shtëpinë e vet. Ai debutoi në vitin 2022, pak pas pushtimit nga Rusia, kur Ukraina nuk arriti të zinte vend në Kupën e Botës në Katar. Ai është një prej disa lojtarëve ukrainas që është zhvilluar shumë në dy vjetët e fundit.
Aty është edhe Artem Dovbyk, i cili shënoi golin e fitores dramatike të Ukrainës ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Ukraina fitoi 2:1me përmbysje të rezultatit pasi ishte duke u mposhtur 1:0. Me fitore në Zenicë, Ukraina siguroi ndeshjen vendimtare për kualifikim në Evropian.
Golat e Dovbykut kanë qenë vendimtarë edhe për Gironan që ka qenë sfiduesja befasuese për titull në Spanjë. Aty është edhe portieri i Real Madridit, Andriy Lunin, dhe 21-vjeçari Illia Zabarnyi, i cili ka qenë mjaft efektiv në Premier League për Bournemouthin këtë edicion, duke e luajtur çdo minutë të çdo ndeshjeje.
Mudryk ka 14 muaj në karrierën e tij te Chelsea, qëkur pronarët amerikanë paguan 70 milionë euro për ta transferuar atë para Arsenalit të cilit pritej t’i bashkohej shkaku i bashkëlojtarit tek Ukraina, Oleksandr Zinchenko.
Ukraina dhe Islanda e kërkojnë avancimin në Evropian përmes rrugës B. Në gjysmëfinale, Islanda e eliminoi Izraelin me fitoren e thellë 4:1.
Nga ora 20:45 luhet edhe finalja e plejofit të rrugës A mes Uellsit dhe Polonisë. Uellsi fitoi në gjysmëfinale ndaj Finlandës me rezultatin 4:1, kurse Polonia e eliminoi Estoninë duke e mposhtur 5:1.
Nga ora 18:00, Gjeorgjia ballafaqohet me Greqinë dhe kërkon Evropianin përmes rrugës C.
Në gjysmëfinale, Gjeorgjia fitoi kundër Luksemburgut 2:0, ndërsa Greqia e eliminoi Kazakistanin, 5:0.
përfaqësueset që u paraqitën në plejof u përcaktuan përmes Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pra, bëhet fjalë për 12 përfaqësueset më të mira të Ligës së Kombeve, që nuk u kualifikuan në Evropiane përmes kualifikimeve të rregullta.