Ballina Sport E goditi me shuplakë vajzën e tij – trajneri Valmir Fetiu suspendohet...

E goditi me shuplakë vajzën e tij – trajneri Valmir Fetiu suspendohet për gjashtë muaj

Gjatë ditës së djeshme (e diel) opinioni sportiv dhe më gjerë u trondit nga disa pamje të cilat u publikuan me shpejtësi në mediat e rajonit.

Bëhej fjalë për trajnerin e taekwondos, Valmir Fetiu, i cili në ato pamje shihet duke goditur me shuplakë një garuese tetë vjeçare nga Kosova, që më vonë u mësua se ishte në fakt vajza e tij.

Këtë gjest, ai e kishte bërë pak momente pasi ajo pësoi humbje ndaj rivales serbe, ndërsa më vonë në një prononcim të tij për media, Fetiu kishte thënë se e ka bërë me qëllimin për ta qetësuar.

Sidoqoftë, përkundër kërkimfaljes dhe sqarimit të tij, Fetiu nuk i ka shpëtuar dënimit pas këtij akti të kryer.

Bordi Mbikëqyrës i Garave në Kampionatin Evropian të Kadetëve 2024 në Tiranë, ka marrë vendim që ta suspendojë trajnerin për gjashtë muaj, për sjelljen e tij agresive ndaj garueses në përfundim të ndeshjes.

Në arsyetimin e tyre kanë thënë se incidenti i cili është incizuar nga kamerat e tregon qartë trajnerin duke bërë një veprim i cili nuk tolerohet në sport.

Pas këtij dënimi ai nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë profesionin e tij as në garat kombëtare e as në ato ndërkombëtare.

Exit mobile version