Ministrja e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka deklaruar se ekstremistët e djathtë janë kërcënimi më i madh kundër demokracisë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në Berlin, Faeser bashkë me kreun e Zyrës Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Thomas Haldenwang, prezantuan Raportin për Mbrojtjen e Kushtetutës 2021.
“Kemi ndërmarrë hapa të vendosur kundër armiqve të demokracisë. E djathta ekstreme vazhdon të jetë kërcënim për demokracinë tonë. Para së gjithash, këtu vazhdojmë të shikojmë dhunë në nivel të lartë. Duhet të ndalim radikalizimin, duhet të copëtojmë rrjetet e ekstremit të djathtë dhe të çarmatosim vazhdimisht pro ekstremistët”, tha Faeser.
Faeser njoftoi se ekziston gjithashtu radikalizim në nivel të lartë edhe në të majtën ekstreme me tendencë të dhunshme.
“Kemi nevojë edhe për një ndërhyrje më të qëndrueshme dhe të hershme kundër dhunës së të majtës ekstreme”, shtoi Faeser.
Pasi theksoi se aktivitetet e inteligjencës së shteteve të tjera në Gjermani përbëjnë një kërcënim serioz, Faeser tha se, “Situata e kërcënimit fitoi një dimension të ri bashkë me luftën agresive të Rusisë në Ukrainë. Po tregojmë shumë kujdes ndaj kësaj. Sigurinë e brendshme dhe paqen e brendshme të Gjermanisë po e mbrojmë kundër spiunazhit rus, përpjekjeve të saj për dominim dhe kundër propagandës së saj të luftës. Gënjeshtrat e Putinit nuk zënë vend në Gjermani”.
– Në Gjermani ka rreth 33.900 ekstremistë të djathtë, 13.500 prej të cilëve me prirje të dhunshme
Edhe kreu i BfV-së, Thomas Haldenwang, theksoi se numri i ekstremistëve të djathtë në Gjermani vazhdon të rritet dhe se ka rreth 33.900 ekstremistë të djathtë, 13.500 prej të cilëve me prirje të dhunshme.
Në krahasim me vitin e kaluar, tha Haldenwang, ekstremistët e djathtë janë rritur me 1,8 për qind. Ai theksoi se kjo është shifra më e lartë që nga mbajtja e statistikave.
Haldenwang theksoi se raporti tregon se ndaj demokracisë dhe popullit gjerman ka shumë kërcënime nga fusha të ndryshme.
“Pothuajse në të gjitha fenomenet ekstremiste është rritur sërish numri i personave. Armiqtë e kushtetutës janë shumë heterogjenë. Nga njëra anë shohim ata që janë bashkuar duke refuzuar shtetin dhe nga ana tjetër shohim individët që veprojnë, autorët vetë-radikalizues dhe ekstremizmin digjital në internet”, tha ai.
“Departamenti për Mbrojtjen e Kushtetutës, po punon me të gjithë fuqinë për t‘iu kundërvënë të gjitha këtyre zhvillimeve”, shtoi Haldenwang, duke bërë të ditur se gjatë periudhës së koronavirusit COVID-19 u rrit përhapja e antisemitizmit dhe teorive konspirative dhe se të djathtët ekstremë vazhdojnë të formojnë rrjete në internet dhe të radikalizohen. /aa