E qara është një përgjigje e natyrshme e njeriut ndaj një game të gjerë emocionesh. Është normale të qash ndonjëherë, veçanërisht në ngjarje të tilla si funeralet, diplomimi ose festa të ndryshme familjare. Si burrat ashtu edhe gratë qajnë më shumë se sa ju mund ta imagjinoni. Statistikat tregojnë se gratë qajnë 5.3 herë në muaj ndërsa burrat 1.3 herë në muaj. Ky ndryshim në këtë proces lidhet me socializimin dhe rolet gjinore.
Por, a e dini se e qara i sjellë edhe shumë përfitime njerëzve? Disa nga më kryesorët janë këto:
-Ka efekt qetësues
E qara mund të ketë një efekt qetësues për disa, por jo për të gjithë. Ajo aktivizon sistemin nervor parasimpatik, i cili është përgjegjës për nxitjen e gjendjes së relaksit. Nxjerrja e lotëve gjithashtu çliron endorfinë apo e njohur ndryshe si hormoni i lumturisë.
-Ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve
Endorfina që lëshon trupi juaj kur qani mund të ndihmojë në zbutjen e disa llojeve të dhimbjeve apo shqetësimeve, nga stresi, te mbingarkesa emocionale, dhimbjet e lehta në trup etj.
-Rrit humorin
E qara çliron endorfinë, duke lejuar ngritjen e humorit. Përveç kësaj, e qara shpesh çon në kërkimin dhe marrjen e mbështetjes sociale, duke nxitur një ndjenjë lidhjeje me njerëzit e tjerë përreth jush.
-Mbështetja nga të tjerët
Kur shihni dikë duke qarë, ka të ngjarë ta perceptoni këtë si një sinjal të qartë shqetësimi joverbal. E qara zakonisht shkakton kuriozitet, mbështetje dhe siguri nga ata që ju rrethojnë.
-Lëshon hormone që lehtësojnë stresin
E qara largon kimikatet e lidhura me stresin si kortizoli përmes lotëve, duke ndihmuar në pastrimin e trupit tuaj.
-Ndihmon në cilësinë e gjumit
Ky proces ndihmon në reduktimin e ankthit dhe stresit, elementë që e bëjnë më të vështirë një gjumë të rehatshëm dhe të plotë. Ndaj, kur qani ju thjesht ndiheni më të çliruar.
-Lufton bakteret
Lotët përmbajnë lizozimë, një enzimë me veti antimikrobike. Lizozima ndihmon në mbrojtjen e syve nga infeksioni duke neutralizuar mikrobet e dëmshme që vijnë nga kontaktet me çdo gjë përreth.
-Përmirëson shikimin
E qara lubrifikon sytë në mënyrë natyrale, parandalon tharjen dhe siguron që kornea juaj (shtresa e jashtme e syrit që fokuson dritën dhe vepron si një pengesë mbrojtëse) të mbetet e lagësht dhe e pastër.
-Ndihmon në lehtësimin e gjendjes së trishtimit
E qara na lejon të shprehim dhe përpunojmë emocionet, gjë që është thelbësore për shërimin emocional pas një ngjarjeje të mërzitshme apo sfiduese.
-Rivendos ekuilibrin emocional
Si një dalje e natyrshme nga emocionet e trishta, e qara ndihmon në çlirimin e tensionit dhe stresit dhe ndikon në rregullimin e ndjenjave të vështira, duke sjellë një ndjenjë lehtësimi.
-Ndihmon foshnjat që të flenë qetë
Mund të jetë stresuese të dëgjosh të qarat e një fëmije, por e qara ka përfitime edhe për foshnjat. Ky proces i ndihmon ato që të marrin frymë duke pastruar rrugët e frymëmarrjes dhe duke rritur marrjen e oksigjenit, për pasojë edhe një gjumë më të plotë dhe të qetë.