Kathy Lofton nga Memphis, SHBA, përjetoi makthin e çdo pronari të veturës klasike.
Pasi mori Mercedes-Benzin 190E të babait të saj që e dërgoi për riparim në vitin 2021, vetura u zhduk pa ndonjë gjurmë.
Por çuditërisht e njëjta veturë u gjet tre vjet më vonë, kurse Kathy trashëgoi veturën e dashur të babait dhe donte ta ruante si kujtim.
Bëhej fjalë për një defekt në sistemin e ndezjes, që babai i saj dinte ta rregullonte.
Megjithatë ajo vendosi ta dërgojë për riparim tek një automekanik, duke shpresuar se do ta zgjidhë shpejtë problemin.
Pagoi përpara 1,500 dollarë dhe priste që vetura të jetë gati për disa ditë.
Por kaluan muaj, kurse Kathy nuk mori kurrfarë informacioni sesi po avancon puna në rregullimin e veturës.
Tentoi të kontaktojë me telefon me automekanikun, por askush nuk lajmërohej – kështu shkoi në punëtori, e pronari gjende arsyetime të ndryshme.
“Më thoshte se kam vetëm disa punëtorë dhe se pjesët po i arrijnë me vonesë për shkak të pandemisë së coronavirusit”, tha ajo.
Situata u komplikua akoma më shumë kur pronari i punëtorisë shiti kompaninë e tij.
Menaxhmenti i ri nuk kishte informacione për veturën e saj, e hapësira u boshatis, kurse asnjë gjurmë nga Mercedesi i saj.
Duke u ndjerë e pafuqishme, Kathy iu drejtuar medias lokale WREG News Channel 3, që vendosi ta hulumtojë rastin.
Pronari i punëtorisë u tha gazetarëve se Mercedesi i është kthyer Kathy, e të njëjtën gjë ua tha gazetarëve edhe gruaja e tij.
Pas kësaj gazetarët janë kontaktuar nga avokati i pronarit të punëtorisë, që pretendonte se vetura është dërguar në punëtorinë tjetër dhe se Kathy nuk kishte shkuar për ta marrë.
Duke përdorur dronët, gazetarët kanë arritur të lokalizojnë veturën në punëtorinë tjetër. Ishte i parkuar në një fushë. E pas bisedës me pronarët e rinj, Kathyt më në fund i është kthyer Mercedesi.
Edhe pse vetura ishte në gjendje të mjerueshme, ishte falënderuese që është gjetur. Tani ajo po tenton t’i rikthej 1,500 dollarët që i kishte dhënë për riparim.