Një person dyshohet se është vrarë në Gjilan pasditen e së enjtes.
Policia ka thënë se dyshohet se viktima është gjetur skaj një rruge të qytetit.
“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ‘Mërgimtarët e Gjilanit’ në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri”, konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Ismet Hashani.
Njësitë përkatëse kanë filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, tha Hashani.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se sipas informacioneve të para, viktima dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Themelorja ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për t’i identifikuar të dyshuarit.