Dyshimi në papastërtinë e rrobës gjatë faljes së namazit

Pyetje: Nëse imami gjatë faljes së namazit dyshon se rroba është e papastër, mirëpo namazin nuk e lë sepse thjesht dyshon. Mirëpo pas përfundimit të namazit pa se papastërtia ishe evidente. Në këtë rast cila është dispozita fetare? Në këtë rast a duhet ta ndërpresë namazin për shkak të dyshimit që ka apo duhet ta plotësojë atë deri në fund?

Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falenderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.

Nëse ai që falet dyshon se rroba që ka veshur është e papastër nuk i lejohet ta ndërpresë namazin, qoftë imam, xhemat apo vetëm. Në këtë rast ai duhet ta plotësojë namazin. Kur më pas të kuptojë se rroba është e papastër nuk e ka për obligim të përsërisë namazin në thënien më të saktë të dijetarëve, sepse për papastërtinë e saj ai nuk u bind vetëm se pas faljes së namazit. Është transmetuar se profeti (a.s.) ka hequr sandalet duke u falur kur e lajmëroi Xhibrili (a.s.) se ato ishin të pista. Pastaj profeti (a.s.) nuk e përsëriti fillimin e namazit, por vazhdoi faljen.

Mirëpo nëse dikush falet duke menduar se është me abdes. Dhe pas faljes së namazit kujtohet se nuk ka abdes apo është xhunub, atëherë në këtë rast, ai e ka për obligim që të marrë abdes apo të marrë gusul, dhe të përsërisë faljen e namazit, sepse të këtij mendimi janë dakord të gjithë dijetarët. Profeti (a.s.) ka thënë: “Namazi i falur pa abdes nuk është i pranuar dhe as sadekaja që është vjedhur nga plaçka e luftës.”[1] “Namazi i dikujt që është pa abdes [2] nuk është i pranueshëm derisa të marrë abdes”[3]

Allahu e di më së miri.

Fetvadhënësi: Bin Bazi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muslimi

[2] – Ose është xhunub.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.