Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e vartëses së tij Diturie Hoxha. Kontrata ka të bëjë me organizimin e ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë.
Ora 20 e 45 minuta e së enjtes, më 6 gusht, do të shënojë një arsye për festë dhe mburrje. Është hera e parë që përfaqësuesja e Kosovës do të luaj një ndeshje të vlefshme si nikoqir.
Liderët shtetëror dhe krerët e federatës do të jenë aty, të gatshëm për t’ia atribuuar vetes “sukseset” e organizimit të ndeshjes së parë ndërkombëtare të vlefshme për botërorin “Rusia 2018”.
Por, në prapaskenë gjërat janë zhvilluar në drejtim të kundërt.
Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë përfshirë në një skemë të konfliktit të interesit, e cila nxit dyshime për korrupsion.
Insajderi ka zbuluar se FFK-ja vendosi që organizimin e ndeshjes ta bëjë kompania private “Sheshi” Sh.P.K, e cila është në pronësi të zyrtares së lartë të FFK-së, Diturie Hoxhës. Ajo mban postin e drejtoreshës për marketing dhe marrëdhënie me publikun në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Insajderi ka siguruar kopjen e kontratës së lidhur mes Federatës së Futbollit, kompanisë Sheshi Sh.P.K si organizatore e ndeshjes si dhe kompanisë “Moneta Moneygram) si distributore e biletave për ndeshjen Kosovë-Kroaci. Kompania “Sheshi”, e zyrtares Diturie Hoxha është angazhuar për shtypjen dhe shpërndarjen e biletave tek kompania “Moneygram”.