Rritja e numrit të nxënësve në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë ka detyruar Drejtorin e kësaj shkollë ta shtojë numrin e mësuesve pa qenë i sigurt se ata ndonjëherë do të marrin pagë për punën që e bëjnë.
Vetëm në klasët e para për këtë vit shkollor janë regjistruar 357 nxënës të rinj, por numri i tyre ka shkuar në 381 në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Drejtori i kësaj shkollë Ismet Gashi tha për KALLXO.com se shumë shpejt do të duhet ta formojë edhe paralelen e 11-të për klasët e para për shkak të numrit të madh të nxënësve.
“Vetëm sot kanë ardhur 24 nxënës të rinj. Pritet të vijnë ende. Do të duhet të formoj edhe paralelen e 11 për klasët e para”, tha Gashi.
Ndërsa nga klasa e dytë deri në klasën e nëntë janë pranuar 129 nxënës të rinj në këtë shkollë.
Drejtori i shkollës tregoi se do të duhet të punojnë në tri ndërrime për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Ai tha se 6 mësues të rinj të cilët janë pranuar në shkollë edhe pse bëjnë punën e njëjtë me mësuesit e tjerë nuk janë të përfshirë në listën e pagave.
Por ata ia kanë nisur punës me shpresën se do të paguhen nga Komuna e Fushë-Kosovës.
Islam Shabani, drejtor komunal i Arsimit në Fushë Kosovë, e konfirmoi se janë angazhuar mësues shtesë në këtë shkollë, por nuk dha shpresë se ata do të mund të paguhen deri në janar të vitit të ardhshëm.
“Kanë ardhur një numër i madh i nxënësve të rinj dhe jemi detyruar t’i marrim mësuesit e rinj. Por nuk i garantojmë se mund të hyjnë në listën e pagave deri në buxhetin e vitit të ardhshëm sepse në buxhetin e këtij viti nuk e kemi planifikuar rritjen e numrit të nxënësve”, tha Shabani për KALLXO.com.
Një projekt i komunës për ndërtimin e një shkolle të re në Fushë Kosovë është duke u kundërshtuar nga banorët e banesave përreth.