Dyfishohet numri i rasteve në Emergjencë, shkak temperaturat e larta

Mbi 300 raste brenda 24 orëve janë regjistruar ditëve të fundit vetëm në Klinikën Emergjente në QKUK.

Si shkak i temperaturave të larta, numri i pacientëve në këtë klinikë është dyfishuar ditëve të fundit. Prej tyre pesë deri në dhjetë për qind janë të sëmurët të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera.

Mjekët këshillojnë që sidomos të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe shtatzënat, mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit gjatë mesditës.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani në një intervistë për KosovaPress, thotë se kjo klinikë shënon numrin rekord të të sëmurëve, lënduarve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore.

Krahas kësaj, gjatë këtyre ditëve të cilat po karakterizohen me temperatura të larta, numri i pacientëve në këtë klinikë është dyfishuar.

“Në ditët e zakonshme në Klinikën Emergjente kanë frekuentuar 120 deri në 170 raste, ndërsa në këto ditët e fundit Klinika Emergjente shënon numrin më të madh të rasteve, të cilët kërkojnë mbi 300 raste. Prej tyre 5 deri në 10 për qind i kemi të sëmurët të cilët vuajnë nga sëmundjet neurologjike, nga goditja në tru, problemet me zemër, hipertensioni, po ashtu problemet vaskulare, problemet me enë të gjakut, sëmundjet kronike të mushkërive, sëmundjet metabolike, diabeti, sëmundjet nefrotike dhe sëmundjet e sistemit osto muskular”, thotë ai.

Përkundër numrit të madh të pacientëve, Lenjani thotë se nuk është evidentuar asnjë rast i cili ka pësuar fatalisht si shkak i rrezeve të diellit.

Megjithatë, sipas shefit të Klinikës Emergjent, personat të cilët kanë pasur më parë goditje në tru apo zemër, janë gjasat më të mëdha t’u shfaqen prapë këto simptoma.

Lenjani vazhdon të jetë kritik sa i përket sistemit të referimit, për çka kërkon të merren masa.

Mbipopullimi thotë se po ua vështirëson punën, derisa puna e tyre fokusohet në raste më të rënda dhe emergjente.

Lenjani këshillon që nga ora 11:00 deri në 17:00, qytetarët fare mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit, sidomos personat me probleme shëndetësore, meqë gjendja e tyre mund të përkeqësohet.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga e hëna moti do të jetë më i freskët, me vranësira dhe intervale me diell, derisa pasditet me reshje shiu. E temperatura maksimale të hënën do të jetë 24 gradë.