Nga viti në vit kërkesat për marrjen e shtetësisë shqiptare po rriten. Të dhënat zyrtare tregojnë se krahasuar me periudhën para pandemisë, këtë vit aplikimet janë dyfishuar.
“Ka një rritje të kërkesave për fitimin e shtetësisë shqiptare. Nga 2019 ku kemi pasur 485 kërkesa aplikime për përfitimin e shtetësisë shqiptare, në 2022 deri tani kemi 834 kërkesa. Pra kemi një dyfishim të numrit të kërkesave të shtetasve të huaj për fitimin e shtetësisë shqiptare”, deklaroi për TV Klan zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Andi Mahila.
Shumica e kërkesave për pasaportë shqiptare vijnë nga Kosova, që pasohen nga aplikimet e shtetasve turq.
“Numri më i madh i kërkesave vjen nga shtetasit e Republikës së Kosovës, edhe këtu ka arsye të shumta. Janë shtetasit turq me numër më të vegjël. Shtetas të shteteve të tjerë që kërkojnë nënshtetësinë shqiptare janë ata që janë martuar me shtetas shqiptar, në numër të paktë janë shtetas të BE që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Shqipëri”.
Por cilat janë arsyet e rritjes së kërkesave për të marrë shtetësi shqiptare?
“Ligji për shtetësinë i ka dhënë mundësinë përfitimit të shtetësisë shqiptare edhe me origjinë. Pra ata shtetas, prindërit e të cilëve kanë qenë me shtetësinë shqiptare, sot marrin me një procedurë më të thjeshtë shtetësinë shqiptare”.
Që një shtetas i huaj të marrë shtetësinë shqiptare duhet të ketë qëndruar për 7 vite pa shkëputje në Shqipëri. Në rastin e martesës me një shtetas apo shtetase shqiptare duhet të qëndrojë tre vite në vendin për të pasur mundësinë të aplikojë për të marrë nënshtetësinë.