Sulmuesi argjentinas i Juventusit, Paulo Dybala, pranon se ende nuk është në formën e tij më të mirë fizike, pas një beteje të gjatë që pati me koronavirusin e ri. Mirëpo, ai me padurim po pret rifillimin e kampionatit në Itali, shkruan koha.net.
Dybala ishte testuar pozitiv me koronavirus në mars, ndërsa iu deshën deri në 46 ditë për të kaluar virusin. Dy lojtarët tjerë të Juventusit, Daniele Rugani e Blaise Matuidi, ishin rikuperuar më shpejt.
“Unë kisha koronavirusin, por po ndjehem shumë më mirë tash. Ende nuk jam qind për qind, por jam mjaft mirë. Ne jemi duke ushtruar dhe futbolli po kthehet, së shpejti do të jemi në gjendje të bëjmë atë që duam”, ka thënë Dybala nëpërmjet Instagramit.
Juventusi ndeshjen e parë do ta luajë më 12 qershor kundër Milanit në Kupën e Italisë. Është ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Italisë. Serie A do të rifillojë nga 20 qershori.