“Dy të tretat e jemenasve nuk kanë qasje në ujë të pastër”

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi se dy të tretat e jemenasve nuk kanë qasje në ujë të sigurtë dhe të pastër si dhe ndaj shërbimeve shëndetësore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga ICRC nga Twitter, u theksua se në një kohë kur rreziku i pandemisë COVID-19 vazhdon, është bërë më e rëndësishme se kurrë, që të sigurohen njerëzit e Jemenit të kenë qasje në ujë të pastër.

Kanalizimet dhe rrjetet e ujit u dëmtuan rëndë nga konflikti që vazhdon në Jemen. Banorët e Jemenit kanë shumë vështirësi në arritjen e ujit të pastër.

Kriza humanitare në Jemen

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e kapura nga rebelët.

Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë, pasi miliona njerëz mbeten të rrezikuar nga uria.