Ballina Autorë Opinione Dy strofa dhe nji thelb

Dy strofa dhe nji thelb

Edison ÇERAJ, Tiranë

Asgjë nuk ndodh sipas meritës

e as prej ndonjë gabimi.

Flokëbora dhe katrani

janë njëlloj të bardhë

gjithëpoaq të pafajshëm.

(Muhiq, përkth.: F. Baçi)

Edison ÇERAJ, Tiranë

Poeti shkruan me besim ose, ma mirë, udhëhiqet nga besimi, i dorëzohet krejt, natyrisht jo në të gjitha rastet. Besim, pra, edhe dashuri. Ai e beson plotësisht atë që shkruan, sepse vjen si nji dritë, e cila rrin me të, ndërsa ne na vijnë thërrmijat e saj në trajtë fjalësh.

Me “asgjë” nënkupton gjithçka, domethënë gjithçka që ndodh nuk ndodh si pasojë e ndonji faji apo merite, por si pasojë e nji fuqie e cila qëndron madhërisht përtej këtyre përcaktimeve tipike të gjuhës, moralit dhe ligjit.

Të jesh kaq “kategorik”, pikërisht duke ba nji përcaktim të tillë është çështje besimi, pastaj mund të themi edhe çështje botëkuptimi.

Merita dhe gabimi janë shoqëruesit tanë të përhershëm kur vjen puna te fjalët dhe veprat tona. Kemi gjithnji prirjen që nji veprim të caktuar ta kategorizojmë ose si të pranueshëm, ose si të papranueshëm, si faj apo si virtyt.

Kuptohet që mes këtyre dy kategorive kemi edhe nji tjetër realitet “asnjanës”, nëse mund ta quajmë kështu, ku nuk ndiejmë ndonji prirje apo ngacmim për me e klasifiku te e mira apo tek e keqja. Por, tani për tani kjo nuk na duhet (o më të mirën, o s’ka), meqë kemi nisur një përsiatje që lidhet me dallimet, madje me dallime themelore, që herët a vonë kërkojnë nji qëndrim prej nesh.

Gjithsesi, duhet thanë se ky terren asnjanës është i vyer, qoftë edhe me barrën e harresës.

Kur poeti shkruan se “asgjë nuk ndodh sipas meritës / e as prej ndonjë gabimi”, këtu përfshihen si fjalët ashtu dhe veprat tona, si ato që bajmë me dashje, si ato që bajmë pa dashje.

Cili gabim apo cila meritë na bani këta që jemi? Cili gabim apo cila meritë bani të mundur planet tona apo i pamundësoi ato? Sa syresh u realizuan falë meritave tona? Zoti vazhdon me qeshë. Çfarë pushtetit kemi përballë nji ndezullie apo një hovi të brendshëm? Çfarë pushteti kemi ne përballë nji plogështie që sfidon krenarinë tonë? Sa e njohim ne lojën misterioze të fatit? Sa fat kemi patur me fatin? Nga vijnë dhe për ku ikin ëndrrat tona? Cili është emri i dhimbjes? Nga i buron forca fijes së brishtë të barit që e çan asfaltin me aq butësi? A mundemi me thanë qoftë dhe për nji gjethe të vetme se bie në vendin e gabuar? A janë të rastësishme e pa kuptim format e panumërta që marrin retë?

Ndaj “flokëbora dhe katrani / janë njëlloj të bardhë”. Katrani këtu nuk vepron si katranosës, por si kthjellje, njësoj si bora, që fillimisht na lëbyr sytë, e më pas na tërheq paqtë drejt nji bote të epërme thurur me kujtime dhe synime të zjarrta.

Është e njajta gja si të themi se ujku dhe qengji janë njilloj, sepse mbi të dy vepron dora e padukshme e fatit, duke u përcaktu natyrën e tyre, megjithëse të ndryshme. Edhe trëndafili dhe gjembi janë njilloj në këtë perspektivë jo vetëm mistike (edhe disi mitike?), por sidomos thelbsynuese.

Pra, flokëbora e merr në gji katranin, jo për me na konfirmu epërsinë e saj natyrore apo poetike, por për me u njësu drejt atij thelbi që mbetet i mbuluar nëse ato nuk sakrifikohen në këtë njësim. Çdo gja mund të mbulohet nga bardhësia e borës, edhe katrani, sidomos katrani, pasi ka kaq kohë që pret. A e meriton? Përgjigjen po e kërkoj me nji pyetje: A nuk mjafton si ndëshkim për të fakti që është katran?

Nëse mund të jenë njilloj të bardhë, atëherë janë njilloj të pafajshëm. Por, kjo mundet me ndodhë vetëm në perspektivën e dashurisë. Në atë të drejtësisë, emri i fajit është i përveçëm, jo kolektiv. Kështu që, paqja është e mundur vetëm në saje të drejtësisë. Por, ky është nji tjetër diskutim.

E vërteta është se, si flokëbora ashtu dhe katrani kanë nevojë për dashuri. Ndërsa dashuria është e mundur vetëm në saje të dashurisë. Është njësoj si me të ashtuquajturat ngjyra bazë: e kuqja, e verdha dhe bluja, të cilat nuk përftohen nga asnji bashkim ngjyrash; kurse ngjyrat e tjera janë rrjedhojë e këtyre të triave.

Merita mund të jetë faj dhe faji meritë.

“Çdo shenjtor ka një të shkuar, sikurse çdo mëkatar ka një të ardhme.” (Wilde)

Nga një thënie e Profetit Muhamed mësojmë se parajsa nuk fitohet me veprat tona, por me dashurinë e Zotit, sepse, siç thotë diku tjetër Wilde, “askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e tij”, as të ardhmen. /revistashenja

Exit mobile version