Musa Küçük dhe Celil Uzun, të cilët kanë mësuar të lexojnë Kuranin me alfabetin Braille, janë të lumtur që mund të recitojnë Kuranin para besimtarëve (Mukabele) gjatë Ramazanit, raporton Anadolu.
Küçük, 41-vjeç, i cili humbi shikimin në moshën 10-vjeçare për shkak të glaukomës dhe Uzun, 36 vjeç, i cili ishte me dëmtim të shikimit që në lindje, morën pjesë në “Kursin e Kuranit me alfabetin Braille” të organizuar nga Myftinia e qytetit Rize në Türkiye për personat me shikim të dëmtuar.
Dy shokët të cilët mësuan leximin e Kuranit për rreth një vit, vazhdojnë traditën e leximit me ndihmën e mushafeve të shtypura në alfabetin Braille.
“Ne po këndojmë mukabele, kjo është një bukuri tjetër”
Musa Küçük, i cili punon si nëpunës civil në Drejtorinë e Menaxhimit të Pyjeve të Rizes, për Anadolu tha se vazhdoi edukimin duke mësuar alfabetin Braille pasi humbi shikimin në moshën 10-vjeçare.
Duke u shprehur se gjithmonë ka dashur të mësojë të lexojë Kuran, Kuçük tha se këtë dëshirë ka vendosur ta plotësojë pasi e dashura e tij ka ndërruar jetë.
“Ju i tregoni hallet tuaja, njerëzit të dëgjojnë, por asgjë nuk ju kënaq shpirtërisht. E pashë që edhe unë doja ta lexoja, kështu që fillova të bëja disa kërkime. Pasi e mësova vetë dhe e lexova të gjithën, me të vërtetë ndihem sikur po i përcjell diçka dhe se mund të bëj diçka për të. Ndihem më i qetë shpirtërisht. Kurani është si një strehë shpirtërore, të cilën e dëgjojmë gjithmonë kur ndihemi të humbur, por nuk tingëllon njëjtë siç e lexon vetë njeriu”, tha ai.
Küçük deklaroi se i ndoqi mësimet rregullisht për një vit: “Këtë vit, ne mund të këndojmë mukabele me ndihmën e mësuesit tonë. Mësohet duke u dëgjuar, ky ishte një tjetër mësim praktik për ne. Në po këndojmë mukabele, kjo është një bukuri tjetër”, tha ai.
“Nëse vijnë vështirësitë, me atë vështirësi vjen edhe lehtësimi”
Avokati Celil Uzun, i cili është me shikim të dëmtuar që nga lindja, tha se gjatë viteve të shkollës fillore ka marrë edhe trajtim për dëmtim të dëgjimit.
Ai tha se ai u njoftua për kursin falë mikut të tij Musa Küçük dhe se ata filluan të mësonin të lexonin Kuran së bashku.
Uzun, i cili shpjegoi se alfabetin Braille e mësoi në shkollën fillore, deklaroi se procesi i tij i të mësuarit u përshpejtua dhe tani mund ta ndiqte tekstin teksa këndohet.