Ballina Artikuj Dy përfundime të ndryshme. Kush doli më i lumtur?

Dy përfundime të ndryshme. Kush doli më i lumtur?

Herakliu ishte mbret i Bizantëve, njohës i mirë i Ungjillit. Ai kishte një mik të tijin në Romë që edhe ai ishte njohës i mirë i Ungjillit. Ky person gëzonte një pozitë mjaft të madhe tek njerëzit, madje më tepër se Herakliu.

Secili prej këtyre dy personave me pozitë mori një pozicionim ndryshe nga tjetri, në momentin kur Profeti (a.s.) i ftoi që të pranonin mesazhin hyjnor, megjithëse që të dy e dinin mjaft mirë se Profeti Muhamed (a.s.) ishte Profeti që kishte paralajmëruar për ardhjen e tij Profeti Isa. Për shkak të pozicionimit të ndryshëm që pati secili prej tyre, patën edhe përfundime të ndryshme si në këtë botë po ashtu edhe në botën tjetër.

Pak kohë përpara se Profeti (a.s.) t’i dërgonte Herakliut letrën që ai të pranonte mesazhin hyjnor, Ebu Sufjani dhe disa kurejshitë ishin duke bërë tregti në Siri, e cila ishte provincë e perandorisë Romake të Lindjes (më vonë do të njihet me emrin Bizant). Në këtë kohë, perandori pas një ëndrre që kishte parë, u tha vizitorëve të oborrit të tij në Siri: E pashë rënien e perandorisë, ndërsa ndaj nesh do të triumfojë një popull, që nuk ka fenë tonë. Në fillim ai mendoi se ky popull ishin hebrenjtë, saqë i shkoi në mend që të vriste që të gjithë hebrenjtë të cilët jetonin nën sundimin e tij. Por, më vonë arriti një emisar i sunduesit të Basrës, që me vete kishte sjellë një porosi për perandorin: O perandori Herakli, në qytet ka disa arabë, të cilët flasin për ngjarjet e mrekullueshme që kanë ndodhur në vendin e tyre, dhe pastaj i rrëfeu për atë që kishte dëgjuar për Profetin (a.s.)

Kur e dëgjoi këtë, Herakliu i urdhëroi ushtarët: Shkoni dhe gjeni dikënd, i cili më hollësisht do të më flasë rreth kësaj. Ushtarët nuk gjetën askënd që të flasë rreth tij, por në vend të tyre gjetën Ebu Sufjanin dhe shokët e tij, të cilët i sollën përpara perandorit. Herakliu pyeti: A ka ndonjë prej jush që është në farefisni me Muhamedin?

Unë jam – u përgjigj Ebu Sufjani.

Tani perandori iu drejtua atij, duke menduar se Ebu Sufjani e njeh Profetin (a.s.) më mirë se të tjerët. Ai tha: Më thuaj se cili është vendi i Profetit (a.s.) në fisin tuaj?

Ai është më i miri i familjes tonë të çmuar – u përgjigj Ebu Sufjani.

A ka qenë ndonjë prej etërve të tij mbret?

Jo – u përgjigj Ebu Sufjani.

A i ka thënë dikush përpara tij gjërat të cilat i thotë ai – vazhdoi perandori.

Jo – u përgjigj ai.

A është akuzuar ndonjëherë për ndonjë gënjeshtër apo mashtrim?

Kurrë – u përgjigj ai.

Po për idetë dhe mendimet e tij dhe për aftësitë e të menduarit – pyeti perandori.

Kurrë dhe askush nuk ka gjetur ndonjë gabim apo ka shfaqur ndonjë fije dyshimi në mendimet e tij – u përgjigj Ebu Sufjani.

Kush i shkon pas, të pasurit apo i të varfërit?

Të varfërit – u përgjigj ai.

A rritet numri i ithtarëve apo zvogëlohet?

Rritet – u përgjigj Ebu Sufjani, asnjë nga ithtarët e tij gjer më sot nuk e ka braktisur.

Pastaj perandori filloi të pyesë për çështje të tjera, dhe vazhdoi: Nëse bën marrëveshje, a e mban atë?

Po – u përgjigj Ebu Sufjani.

A ke luftuar kundër tij ndonjëherë?

Po. Disa herë kemi triumfuar ne dhe disa herë ka triumfuar ai ndaj nesh, por kurrë nuk e ka shkelur marrveshjen e paqes.

Për çfarë i urdhëron njerëzit?

Të adhurojnë vetëm një Zot – u përgjigj Ebu Sufjani. Ai i ndalon njerëzit të adhurojnë atë që kanë adhuruar baballarët e tyre, u thotë t’i luten Allahut, të japin sadeka, ta mbajnë fjalën e dhënë, si dhe t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre.

Ebu Sufjani, fliste të vërtetën megjithëse ishte armik i Profetit (a.s.) nga frika se mos ndonjëri prej shokëve të tij ia përgënjeshtronte fjalën përpara perandorit.

Pastaj Herakliu i tha përkthyesit të tij: përkthe: Të pyeta për marrdhëniet farefisnore me të, e ti më the se jeni i afërt. Kështu janë të Dërguarit e Zotit, më së pari kanë ftuar farefisin dhe popullin e tyre. Të pyeta nëse ka folur dikush prej jush, fjalë të tilla, dhe ti the jo. Sikur të kishte folur dikush prej jush fjalë të tilla para tij, do të mendoja se ai ishte një njeri që imiton të tjerët. Të pyeta nëse ndonjë prej etërve të tij ka qenë mbret, dhe ti më the jo. Sikur të kishte qenë dikush prej të parëve të tij mbret, do të kisha menduar se qenka një njeri që kërkon pushtetin e të parëve të tij. Të pyeta nëse e keni akuzuar për gënjeshtar përpara se të thonte këto fjalë, ti më the jo. Unë e di se duke mos qenë gënjeshtar ndaj njerëzve, si mund të jetë gënjeshtar ndaj Zotit. Të pyeta nëse ftesën e tij e kanë përqafuar paria apo shtresa e ulët, ti më the se e kanë përqafuar njerëzit e thjeshtë dhe e pambrojtur, zakonisht ata kanë qenë ithtarët e profetëve. Të pyeta nëse janë duke u shtuar apo pakësuar, dhe më the se numri i tyre sa vjen dhe shtohet. Kjo ndodh me çështjen e besimit derisa shpallja të plotësohet. Të pyeta nëse ndonjëri e ka braktisur fenë nga urrejtja që kanë për të, më the jo. Zakonisht kështu ndodh me njerëzit pasi besimi hyn në zemër. Të pyeta nëse e mban apo fjalën e dhënë, dhe ti më the që e mban fjalën e dhënë, ndërsa profetët asnjëherë nuk e tradhtojnë besimin e tyre. Pastaj të pyeta se për çfarë ju urdhëron, dhe ti më the se ju urdhëron të besoni Allahun dhe përveç Tij të mos adhuroni zotra të tjerë. Ju urdhëron të falni namazin, të jepni sadeka, të jeni të ndershëm.

Takimi përfundoi me këto fjalë të perandorit: Nga tërë kjo po shoh se me të vërtetë ai është Profet. Fakti se ithtarët e tij nuk e braktisin, dëshmon se ata kanë besim të vërtetë, ngase besimi që hyn në zemër nuk del aq lehtë prej saj. Unë e dija se ai do të vinte dhe nëse kjo që ju më thatë është e vërtetë, atëherë ai do të më pushtojë. Po të isha në vendin tuaj, unë do t’ia laja këmbët. Tani mund të shkoni!

Medito në këtë dialog, tek pyetjet të cilat Herakliu ia drejton Ebu Sufjanit. Mënyra se si ai e zbuloi se ky njeri që ishte nga Kurejshët ishte Profet, Profeti për të cilin patë profetizuar për ardhjen e tij Profeti Isa. Ai nuk e kishte parë Profetin, por megjithatë nga përshkrimi i armikut të tij (Ebu Sufjanit), besoi në profetësinë e tij.

Megjithëkëto fakte, ai nuk besoi. Ai i dërgoi mikut të tij në Romë një pusullë, për të marrë një mendim prej tij rreth çështjes së Profetit Muhamed (a.s.). Më vonë, Herakliut i erdhi një letër nga miku i tij, i cili e përkrahte mendimin e tij se njeriu në fjalë ishte Profet.

Çfarë ndodhi me Herakliun dhe mikun e tij?

Miku i tij tha: “Ky është Profeti për të cilin kanë paralajmëruar Profetët Musa dhe Isa. Ky është Profeti të cilin po e prisnim. Unë do ta besoj dhe do ta ndjek. Ai kishte veshur një rrobë të zezë, e hoqi dhe në vend të saj veshi një rrobë të bardhë. Pastaj morri shkopin dhe doli përpara romakëve në kishë duke deklaruar: O romakë! Na ka ardhë një mesazh nga Ahmedi që na thërret të besojmë tek Allahu. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Ahmedi është rob dhe i dërguari i Tij. Ata iu vërsulën atij të gjithë menjëherë dhe e vranë.

Ndërsa Herakliu kur dëgjoi se çfarë bënë romakët me mikun e tij, duke ditur se miku i tij ishte më i shtrenjtë tek romakët sesa Herakliu, i dha përparsi jetës së kësaj bote. Ai deshi të dijë reagimin e njerëzve përreth tij në lidhje me besimin në profetësinë e Profetit Muhamed. Në Hims, ai mblodhi parinë e romakëve dhe pasi i mbylli dyert u tha: O fisnikë të Romës, a dëshironi që të jeni të shpëtuar, që sundimi juaj të jetë i përhershëm. Jepini besën këtij Profeti. Ata menjëherë u vërsulën nga dyert, por i gjetën të mbyllura. Kur pa këtë lloj reagimi dhe se ishte e pamundur që ata të besonin në profetësinë e Profetit Muhamed, u tha: Këto fjalë ua thashë për t’ju sprovuar sesa të qëndrueshëm jeni ju në fenë tuaj, dhe këtë e vërtetova me sytë e mi. Pas kësaj ata iu përulën të gjithë atij në sexhde. Këtu përfundon historia e Herakliut.

Dy përfundime krejt ndryshe nga njëra-tjetra. Të parin e kundërshtuan, e goditën derisa e vranë, ndërsa të dytin e madhëruan dhe iu përulën. Kush prej të dyve ishte më i lumturi? Herakliu doli i humbur apo i fituar? A vërtetë përfundimi i tij qe i lumtur?

Ajo që Herakliu pati frikë se mos i ikte nga duart, realisht u zhduk njëherë e përgjithmonë. Salltanetet dhe zbukurimet e sundimit të tij, u zhdukën njëherë e përgjithmonë, dhe po ashtu edhe dhimbja që përjetoi miku i tij u harruan.

Njeriu i mençur e shikon të ardhmen e tij me vizion të qartë, në mënyrë të atillë që në fund mos ta humbasë atë, përpara se të jetë vonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ata e panë ndëshkimin Tonë, thanë kemi besuar Allahun dhe e mohojmë adhurimin e idhujve. Mirëpo ky besim i tyre nuk vlen, në kohën kur ata përjetojnë ndëshkimin Tonë. Ky është ligji i Allahut për robërit. Me të vërtetë pabesimtarët kanë humbur.”[1]

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Gafir: 84 – 85.

Exit mobile version