DY ORË GJUMË, TË MJAFTUESHME?

Kuptimi origjinal i sawm-agjërimit reflektohet edhe si pushim-prehje. Kjo gjendje abstenimi përfshinë traktin gastro-intestinal, kardiovaskular, aktivitetin seksual, sytë, gojën, veshët, pra të gjithë organizmin, duke bërë përpjekje për të vënë nën komandë shpirtërore gjymtyrët e trupit. Faza tranzitore për një abstenim të tillë llogaritet rreth 12-14 orë.
Procesi i agjërimi, nga prizmi shkencor llogaritet si mekanizëm regjenerues për organizmin, përfshirë trurin, aktivizimin e molekulave të memories, forcimin e mbamendjes, sidomos kur organizmi është në abstenim nga ushqimet, si dhe gjatë fazës së gjumit të thellë.
Për këtë arsye fjetja dhe gjumi gjatë muajit të Ramazanit është shumë më efektiv. Dy orë gjumë gjatë Ramazanit janë më të kënaqshme dhe të freskëta se sa shumë orë gjumë jashtë këtij muaji.

GJUM APO FJETJE?
Agjërimi në mënyrë signifikante përmirëson gjumin e thellë (prehës) duke zvogëluar kohën e ëndërrimit, e cila manifestohet gjatë fazës së lëvizjes së shpejtë të syve, kur sytë valëviten shpejt nga njëra anë në tjetrën (rapid eye movement-REM). Kjo gjendje kuptohet si faza unike e gjumit të gjitarët dhe njerëzit, kur korteksi i trurit përpiqet të interpretojë ose të gjejë kuptime…duke rezultuar në ëndrra, po ashtu mendohet se lëvizjet e kapakëve të syve mund të lidhen me imazhet e brendshme vizuale.
Për këtë arsye pushimi agjërueshëm është i dobishëm ngase shtohen orët normale të gjumit të thellë, të cilat në kohën e jo-agjërimit janë më pak prezentë, ndikuar nga faza REM e gjumit, apo ëndrrat!.
Procesi i agjërimit llogaritet ripërtrirje-jetë, duke zëvendësuar “ëndërrimin sy mbyllur” me meditim, përsiatje, përgjërim dhe lutje, për një jetë aktive me sy dhe zemër vigjiluar.

Agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm!
Përgatiti: Rrahman FERIZI