Ballina Lajmet Kosovë Dy mijë të sëmurë kërkojnë shërim jashtë vendit

Dy mijë të sëmurë kërkojnë shërim jashtë vendit

Numri i atyre që kërkojnë shërim jashtë vendit vazhdon të jetë i madh. Ky numër rritet akoma më shumë me mungesën e banave dhe të aparaturave të nevojshme brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Rreth dy mijë qytetarë me sëmundje të rënda kanë aplikuar në Ministrinë e Shëndetësisë për shërim jashtë vendit.

Zyrtarë të MSH-së thonë se numri i atyre që aplikojnë për këto përfitime është i madh, por siç thonë ata numri i përfituesve është rritur me rritjen e buxhetit për shërim jashtë vendit.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2016 kanë aplikuar mijëra qytetarë dhe tha se disa kanë përfituar shumat e nevojshme për shërim jashtë vendit dhe disa raste të tjera janë bartur për vitin 2017.

“Sipas Zyrës së Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, gjatë vitit 2016 ka pasur 1958 aplikime për marrje të shërbimit shëndetësor. Përfitues kanë qenë rreth 1.100, raste; disa raste janë bartur për vitin 2017, disa të tjera kanë qenë në procedura të kompletimit të dokumentacionit, kurse ka edhe raste që mund të trajtohen në Kosovë dhe ato refuzohen për trajtim jashtë QKUK-së”, kanë thënë ai për “Zërin”. Siç thanë ata, shuma e harxhuar për trajtimin e pacientëve jashtë vendit arrin mbi 8 milionë euro. Sipas tyre, numri i përfituesve është trefishuar për shkak të rritjes së buxhetit për trajtim jashtë vendit. “Shuma e shpenzuar për trajtimin e këtyre rasteve për të gjitha moshat dhe sëmundjet për të cilat është aplikuar është rreth 8.130.000 euro. Numri i kërkesave ndër vite është afërsisht i njëjtë, ndërsa numri i përfituesve është trefishuar për shkak edhe të rritjes së buxhetit për trajtim jashtë vendit”, tha ai, transmeton zeri.info.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka thënë së çdo klinikë brenda QKUK-së ka një konsilium prej tre anëtarësh që në rast të pamundësisë së shërimit të sëmundjeve të rënda nënshkruajnë rekomandimet për shërim jashtë vendit. “Secila klinikë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka një konsilium të mjekëve në përbërje të tre anëtarëve, që nënshkruajnë në një formular për pacientët në rastet kur rekomandohet shërimi jashtë institucioneve publike shëndetësore. I njëjti formular nënshkruhet nga drejtori i klinikës përkatëse”, ka deklaruar Fazliu. Ai tha se një numër i madh i rasteve trajtohen në QKUK, me përjashtim të rasteve të rënda dhe transplantim të organeve për shkak të mungesës së legjislacionit.

Fazliu tha se kohët e fundit është reduktuar numri i rasteve kardiokirurgjike. Por, siç tha ai, akoma ka nevojë për staf dhe buxhet në mënyrë që të reduktohen akoma më shumë këto raste. “Shumica e sëmundjeve trajtohen brenda klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, duke përjashtuar rastet e rënda të lëmit hemato-onkologjisë. Po ashtu dhe të transplantimeve të ndryshme të organeve për shkak të mungesës së legjislacionit. Po ashtu, së fundmi është reduktuar dukshëm referimi i rasteve kardiokirurgjike dhe kardiologjisë invazive, meqë Kardiologjia Invazive po punon nga 12 orë në ditë, përderisa edhe Kardiokirurgjia ka shtuar numrin e të operuarve. Në këto dy fusha ende nuk po arrihet të mbulohen 24 orë për shkak të limiteve në kuadro dhe atyre buxhetore, por dukshëm ka rënë numri i të referuarve”, ka thënë Fazliu.

Deputetja dhe anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore duhet të jetë prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo gjithashtu tha se kanë kërkuar investim në institucionet tona shëndetësore në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë për trajtim jashtë vendit. Ndryshe, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, kohë më parë ka thënë se në mungesë të sigurimeve shëndetësore pacientët që udhëtojnë jashtë vendit, por edhe gjithë qytetarët, do t’i blejnë sigurimet shëndetësore siç i kanë paguar deri më tani.

Exit mobile version