Dy kandidatët presidencialë më të papëlqyer: Hillary Clinton dhe Donald Trump

Fushata për zgjedhjet presidenciale në SHBA është në kulmin e saj. Por dy kandidatët Clinton dhe Trump janë kandidatët presidencialë më të papëlqyer ndonjëherë. Lufta për të fituar zemrat e të zhgënjyerve ka filluar.

Tri shifra e bëjnë më se të qartë dilemën e Donald Trumpit dhe Hillary Clintonit në këto zgjedhje presidenciale. Kandidatja demokrate Hillary Clinton vlerësohet negativisht nga 53% e votuesve, rivali republikan, Donald Trump nga 61% e tyre. Në të njëjtën kohë 37% e të anketuarve janë të mendimit se do të votonin edhe për dikë tjetër, përveç këtyre dy kandidatëve. Një situatë e komplikuar kjo për të dy kandidatët. Për këtë arsye si Trump edhe Clinton janë të interesuar të bindin sa më shumë votues të zhgënjyer për të mos e votuar një kandidat të tretë. Kjo merr rëndësi të veçantë, po të kujtosh se kandidatët për president të Libertarianëve, Gary Johnson dhe partisë së Gjelbër, Jill Stein, respektivisht me rreth 10% dhe 4% kanë papritmas një rezultat të mirë.

Dy alternativa kanë kandidatët Trump dhe Clinton për të penguar votuesit e zhgënjyer të japin votën aty ku nuk duhet. Ata ose do të përpiqen të bindin këtë pjesë të elektoratit, se vetë ata janë alternativa më e mirë. Por për shkak të antipatisë që përhapur mes amerikanëve si për Clintonin ashtu edhe për Trumpin, një tentativë e tillë nuk ka për të qenë e lehtë. Ose ata mund të pranojnë hapur, se ka gjasa që ata të mos jenë zgjidhja e parë që duan votuesit, por janë e keqja më e vogël, krahasuar me votën për një kandidat tjetër.

Hillary Clinton

Kë urrejnë më shumë votuesit?

Mosvotimi me ndërgjegje i kandidatit të preferuar që shkon në favor të një kandidati tjetër shihet si administrim strategjik i votës. Ekspertët besojnë se në këto zgjedhje presidenciale, kjo do të luajë rol. Robert Shapiro profesor në Universitetin e Kolumbias është i mendimit se gara mes dy kandidatëve më të papëlqyer mund të nxisë më shumë një situatë të tillë. Ai thotë se “në fund mund të kemi këtë situatë, se cili nga kandidatët urrehet më shumë nga njerëzit”.

Barry Burden, drejtor i Qendrës për Studimin e Zgjedhjeve në Universitetin e Wisconsin-Madison po ashtu mendon se këto votime do të ndikohen nga e ashtuquajtura sjellje strategjike ndaj votës. Kjo sepse shumë votues kërkojnë një alternativë përtej Trumpit dhe Clintonit, tjetra, sepse kandidatët e partive të nivelit të tretë si Johnson dhe Stein shihen nga votuesit si një opcion i vërtetë.

Megjithatë dhënia e votës për Johnson ose Stein, thjesht sepse ata duken një alternativë më atraktive kundrejt Trump dhe Clinton, nuk e bën ende votën strategjike. Votë strategjike kemi atëherë, kur votuesit me ndërgjegje nuk ia japin votën kandidatit të preferuar, por alternativës së dytë apo të tretë, mendon Burden.

 Trump

Libertarianët e fortë

Vërtet Clinton dhe Trump janë kandidatë që nuk kanë vlera të larta simpatie, por kandidati republikan e ka më të vështirë përballë libertarianëve. Kjo, sepse me ish-guvernatorët republikanë, Gary Johnson dhe William Weld, del përballë tij një duet libertarian i fortë dhe me përvojë. Një alternativë jo vetëm për bazën libertariane, por me gjasë edhe për republikanët e moderuar. Në dallim me kandidatët e tjerë të partive të treta, Johnson nuk e ka humbur mbështetjen me afrimin e votimeve.

Ndërsa rivalja e Clintonit në krahun e majtë të spektrit politik, Jill Stein e partisë së Gjelbër nuk përbën shumë shqetësim për demokratët. Sigurisht ajo është një kandidate e preferuar për spektrin e majtë apo zgjedhësit e zhgënjyer të Bernie Sanders. Por demokratët do ta mendojnë mirë, nëse do ta japin votën e tye për Stein, mendon eksperti Burden.

Demokratët kanë nxjerrë një mësim nga zgjedhjet e vitit 2000, kur në garën mes George Bushit të ri dhe Al Gore, ky i fundit humbi, sipas demokratëve edhe për shkak të kandidatit të gjelbër, Nader që mori, 2,7% të votave. Burden sqaron se shumë demokratë atëherë „u betuan se nuk do të votonin kurrë për një kandidat të një partie të tretë. Ata do të bashkohen më shumë me Clintonin, sidomos në shtetet federale, ku gara është shumë e fortë.

Grindje mes republikanëve

Nëse demokratët janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës strategjike, votuesit republikanë nuk e trajtojnë shumë këtë temë, mendon Burden. „Madje ka edhe republikanë që thonë se do të votojnë Clintonin, pasi duan të pengojnë zgjedhjen e Donald Trump.” Po ashtu në dallim nga Clinton, e cila e mori mbështetjen e rivalit të saj Bernie Sanders në fund, rivali më i fortë i Donald Trump, Ted Cruz e ka shprehur qartë se nuk do të mbështesë Donald Trump.  /dw/