Dy futbollistë të Kosovës në 11-shen e xhiros në Ligën e Kombeve

Dy futbollistë të Kombëtares së Kosovës në futboll, janë futur në ekipin më të mirë të xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.

Donat Rrudhani e Lumbardh Dellova, kanë gjetur veten në 11-shen më të mirë të kësaj xhiroje që u zhvillua në tri ditët e fundit.

Të dy lojtarët e Kosovës janë vlerësuar lart për paraqitjen e tyre ndaj Qipros, ndeshje kjo që përfundoi me fitoren e thellë 4:0 në favor të “Dardanëve”.

Rrudhani në ekipin më të mirë të xhiros së dytë është inkuadruar si mbrojtës i krahut të majtë, ndërsa Dellova në qendër të mbrojtjes.

Si Rrudhani ashtu edhe Dellova kontribuuan në fitoren e parë të Kosovës në kampanjën e re të Ligës së Kombeve.

Rrudhani asistoi dy herë kurse Dellova shënoi për ta konfirmuar fitoren e “Dardanëve” në kuadër të Grupit C2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

Në 11-shen më të mirë të xhiros së dytë të Ligës së Kombeve, kanë zënë vend edhe lojtarët me emër si Trent-Alexander Arnold e Harry Kane i Anglisë, pastaj Bruno Fernandes i Portugalisë, Luka Modriq i Kroacisë e Benjamin Sheshko i Sllovenisë.