Dy fëmijë të vdekur nga mbytja e një anije emigrantësh në Mesdhe

Dy fëmijë kanë vdekur ndërsa 17 emigrantë janë shpëtuar, pas mbytjes së një anijeje në Mesdhe, ka bërë të ditur të dielën OJQ-ja gjermane “Sea Punks”.

Shpëtimi është kryer në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në zonën e Kërkimit dhe Shpëtimit Maltez (SAR), ka bërë të ditur organizata në një deklaratë.

Një fëmijë është gjetur i vdekur, ndërsa ekipi mjekësor i ekuipazhit të “Sea Punks” ka kryer një reanimim kardiopulmonar (CPR) tek dy fëmijë të tjerë, duke i shpëtuar jetën njërit.

Një helikopter maltez i shpëtimit evakuoi një grua shtatzënë dhe një burrë të lënduar rëndë, ndërsa një anije e rojes bregdetare italiane mori 15 të mbijetuarit e tjerë dhe trupat e dy fëmijëve. Të mbijetuarit u kanë thënë shpëtimtarëve se anija ishte nisur me 21 persona në bord.

Dy prej tyre figurojnë të zhdukur. Më herët, agjencia italiane e lajmeve ANSA ka raportuar se 15 emigrantë janë shpëtuar dhe tre janë gjetur të vdekur, ndërsa tre të tjerë janë ende të zhdukur.