Dy derbi në Itali

Roma – Inter dhe Milan – Napoli do të jenë dy ndeshjet derbi të kësaj fundjave në elitën e futbollit të Italisë.

Të shtunën, të dielën dhe të hënën zhvillohet xhiroja e 24-t e Serie A.

Roma – Inter luajnë të shtunën nga ora 18:00 në “Stadio Olimpico” dhe do të jetë testi i parë serioz për trajnerin e ri të Romës, Daniele De Rossi.

Tabelës në Serie A i prin Interi me 57 pikë.

Juventusi është i dyti me 53 pikë.

Milani ka 49 pikë në vendin e tretë, dhjetë më shumë se Atalanta e vendit të katërt, ndërsa Roma është e pesta me 38 pikë.

De Rossi në krye të Romës në tri ndeshjet e para ka marrë po aq fitore, qëkur e zëvendësoi Jose Mourinhon.

Fitoret i ka arritur ndaj Veronës, Salernitanas dhe Cagliarit, skuadra që luftojnë për mbetje në elitë.

Interi udhëton te Roma me seri prej gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme në të gjitha garat.

Milani është në pozitë për të përfituar nga një gabim i mundshëm i Interit.

Në rast se gabojnë “nerazzurrët”, “rossonerëve” u duhet fitorja për t’u afruar në kreun e tabelës.

Milani ka ecuri prej tetë ndeshjeve rresht pa disfatë, ndërsa gjashtë të fundit i ka fituar.

Te Napoli luan mbrojtësi dhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.

Xhiroja mbyllet me duelin mes Juventusit dhe Udineses të hënën, me ndeshjen që nis në orën 20:45.