Dy arsyet e mundshme të ardhjes së ambasadorit amerikan nga Beogradi në Kosovë

Vizita e ambasadorit amerikan në Serbi, Kyle Scott, në Kosovë, dhe takimet e tij me krerët e shtetit, po shihen si jo të rastësishme. Gazetari dhe publicisti, Fahri Musliu ka thënë për “Indeksonline” se ardhja e ambasadorit Skott nga Beogradi në Prishtinë dhe takimi i tij me presidentin dhe kryeministrin kanë dy domethënie.

Sipas tij, Departamenti i Shtetit sigurisht se mund ta ketë vlerësuar se ambasadori në Kosovë, Greg Delawie nuk ka ndikim tek zyrtarët e Kosovës, meqë ai këto ditë edhe largohet nga ky mision.

Dhe e dyta, Musliu thotë se, ambasadori në Beograd ka sjellur ndonjë mesazh të rëndësishëm nga kabineti i Vuçiqit me të cilin është takuar këto ditë. Por, edhe të ushtroj trysni mbi kryeministrin Haradinaj dhe anëtarët tjerë të qeverisë të cilët janë deklaruar kundër ideve të kryetarit Thaçi.

“Kjo vizitë ndodh në ditën kur edhe kryetari i Kosovës edhe presidenti i Serbisë kanë zhvilluar bisedë telefonike me ndihmës- zëvendëssekretarin amerikan të shtetit për Ballkanin Wess Mitchell i cili siç njoftuan mediat e mbështet dialogun në Bruksel. Mirëpo vazhdon të mbretërojë një mjegullinë e madhe lidhur me “korrigjimin e kufijve apo këmbimin e territoreve”, ku pos plasaritjeve në Kosovë është përçarë edhe Përendemi, ndonëse mendoj së çdo prekje e kufijve mund të ketë ndikim shumë negativ për rajonin, ndonëse një gjë të tillë nuk e pengon drejta ndërkombëtare nëse bëhet me marrëveshje dhe pa pasoja për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”, ka thënë Musliu.

Gazetari, i cili për një kohë të gjatë raportoi nga Beogradi, vlerëson se megjithatë e gjithë kjo zhurmë më shumë është në funksion të përgatitjes së opinioneve në Kosovë e Serbi lidhur me vendimet e “dhimbshme”, që do të marrin së shpejti zoti Thaçi e Vuçiq.

“E çfarë do të jenë ato “vendime” do të shohim së shpejti”, ka thënë në fund Musliu.