Presidenti Rodrigo Duterte këndoi një këngë dashurie filipinase gjatë një darke zyrtare në Manila për liderët botërorë të pranishëm dhe më vonë shpjegoi se këndoi nën urdhrat e Donald Trump.
Presidenti amerikan dhe Duterte ishin mes 19 liderëve të pranishëm në një gala në Manila në vigjilje të samitit të vendeve aziatike. Në një moment të mbrëmjes, Duterte mori mikrofonin dhe këndoi këngën “Ti”. Një prej vargjeve të këngës thotë: Ti je drita e botës, gjysma e zemrës sime.
Pas këngës, Duterte sqaroi se e bëri këtë pasi u urdhërua nga komandanti i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duterte, i cili njihet si Trumpi i Azisë për shkak të stilit të tij arrogant, pas duetit të hënën, u takua me Trump në kuadër të samitit Asean.
Dy liderët vlerësuan tej mase raportin mes dy vendeve, megjithëse së fundit tensioni mes Manilës dhe Uashingtonit ka qenë i dukshëm, për shkak të sulmeve verbale që presidenti Duterte i ka bërë SHBA dhe dëshirës së tij për të pasur raporte më të forta me Rusinë dhe Kinën. Megjithatë, ekspertët thonë se mbase kënga romatike për Trump do të thotë se dashuria e parë nuk harrohet.