Durmishi: “Shporta konsumatore” është masë që do të vlejë edhe për muajin e Ramazanit dhe për Pashkët

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi

Shkup – Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, paralajmëron se Qeveria do të vazhdojë me të ashtuquajturat “shporta konsumatore” edhe gjatë kohës së festave tjera, sikurse për Pashkët dhe Bajramin.

Kjo do të thotë se me intervenimin e ekzekutivit, do të vazhdojë kufizimi i përkohshëm i marzhave për disa kategori të produkteve.

“Sipas të dhënave nga shporta e vjeshtës ku ngrimë çmimet për 10% në tregtinë me shumicë dhe pakicë, atje ishin përfshirë rreth 73 grue prodhimesh, kjo masë dha rezultate. Çmimet ishin ulur, kursimi për një familje katëranëtarëshe ishte rreth 1.300 denarë. Këtë e treguan edhe sindikatat me shportën e tyre sindikale, ku gjatë asaj periudhe, harxhimet për ushqim dhe pije ishin ulur për 965 denarë. Do të thotë, nëse marrim parasysh këtë masë që ishte për 73 grupe produktesh, normalisht se kjo masë që tejkalon mbi 1.000 produkte, të mbështetur nga 95 kompani, do të ketë rezultate të mëdha”, tha Durmishi për REL.
Ministri Durmishi pohon se do të vazhdojnë “shportat konsumatore” pavarësisht se tashmë është në fuqi Ligji për praktika jo të ndershme tregtare.

Ky ligj, për momentin, është në fazë kalimtare, ka hyrë në fuqi por shteti nuk shqipton dënime, por vetëm tërheq vërejtje.

“Sipas këtij ligji, rabati dhe harxhimet tjera shtesë duhet të kufizohen në 10%. Më parë ishte deri 20% dhe deri 35%. Tani kur të adaptohen faturat midis prodhuesve dhe tregtarëve, kur të kufizohet në 10%, do të ndikojë në uljen e çmimeve me pakicë. Si Qeveri bashkë me Odën e biznesit do të punojmë për të përmiërsuar standardin jetësor dhe normalisht se do të ketë masa tjera sikurse ajo e Ramazanit, Pashkëve e të ngjashme”, tha Besar Durmishi.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ministri Durmishi, thekson se po mendohet që për disa veprimtari të shfuqizohet e diela si ditë jo pune. /shenja