Vëllezër dhe motra!
Këtë temë do t’ia përshkruajmë zemrave të thyera, secilit prej jush që në familjet tuaja keni një të sëmurë, secilit të varfër që lufton për kafshatën e gojës, secilit që gjendet në brenga të mëdha, secilit që ka ra në fatkeqësi, secilit shpirt të tendosur i cili nuk ndihet i qetë në këtë botë. Por, Gjithashtu, këtë temë do t’ia përshkruajmë edhe atyre që jetojnë në pasuri, pa brenga dhe begati. Pra, atyre të cilët asnjëherë nuk mendojnë se ndoshta, mos e dhashë Zoti, mund të bëhen nga kategoria e parë.
Durimi është dritë e besimtarit e cila e udhëheqë në errësirat e sprovave, brengave dhe fatkeqësive të ndryshme me të cilat ballafaqohen gjatë jetës. Durimi është garanci me të cilën garantohet suksesi njerëzor pa të cilin nuk mund të arrihet asgjë.
Allahu i Madhërishëm termin durim në Kur’an e ka përmendur 90 herë. Sot, desha që bashkërisht të përkujtojmë një rob të madh të Allahut, një pejgamber të ndershëm e të respektuar, Ejubin a.s.
Allahu xh.sh. Ejubit a.s. i kishte dhuruar disa begati të mëdha:
1. Allahu i kishte dhënë pasuri dhe patundshmëri aq të madhe sa që vlera e asaj pasurie nuk mund të matej.
2. I kishte dhënë me qindra rob (shërbëtor) që ishin në shërbimin e tij.
3. I kishte dhënë një bashkëshorte besimtare dhe tejet të bukur.
4. I kishte dhënë trup të bukur e të fuqishëm.
5. I kishte dhënë 14 fëmijë.
6. I kishte dhënë një popull i cili e dëgjonte dhe praktikonte këshillat e tij.
7. I kishte dhënë miq që shoqërohej me ata vazhdimisht, çfarë do të dëshironte secili prej nesh.
8. Bashkëvendësit e donin shumë dhe kishin një respekt të veçantë për te. dhe shume begati tjera.
Shikoni vëllezër, Ejubi a.s. ishte në një gjendje materiale, shoqërore, psikike dhe në një nivel të lartë, për t’ia pasur lakminë ç’do kush. Kështu jetoi plot 50 vite, pa asnjë brengë. Pas kësaj lumturie dhe begatie, Allahu xh.sh. deshi ta sprovoj me një sprovë të madhe. Andaj në shembullin e Ejubit a.s. mund të gjejnë ngushëllim ata që janë në fatkeqësi, ndërsa mësim mund të marrin ata që janë në begati.
Sprova e parë ishte që Allahu ia murr tërë pasurinë dhe Ejubi a.s. mbeti i varfër. Të gjitha të hollat që i kishte futur në tregti dhe bujqësi humbën.
Sprova e dytë: I vdiqën të gjithë fëmijët.
Sprova e tretë: Të gjithë robërit u detyrua t’i shes dhe në fund mbeti pa asnjë shërbëtorë.
Sprova e katërt që Allahu e sprovoi ishte sëmundja që e bëri të palëvizshëm. Miqtë e braktisën duke u frikësuar nga sëmundja që e kishte goditur. Të gjithë e braktisën, përveç bashkëshortes dhe dy shokëve të ngushtë. Tërë dynjaja e la! Ndërsa ne sot nga sprova më e vogël fillojmë të pyesim. Çka kam bërë? Pse unë, i cili nuk ia dua të keqen askujt? …. etj.
Allahu në Kur’anin fisnik thotë: “E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” dhe pastaj vijon verseti: “Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron) ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar” “Jo, nuk është ashtu! (punoni edhe më zi) ju nuk e përfillni bonjakun” (El-Fexhr, 15-17).
Ejubi a.s, pejgamber i dashur i Allahut, i humbi të gjitha dhe mbeti pa asgjë, pa fëmijët e dashur, pa shokë e miq, të gjithë e braktisën. Ky është mësim për gjithë ata që nuk e njohin mossuksesin. Lëshohuni në tokë, mos lejoni që dynjaja t’ju verboj dhe të harroni se jeni robër të Zotit që jeni të varur nga mëshira e Tij.
Ke shumë para, ke ndikim në shoqëri, ke funksion dhe pozitë, të gjitha i ke …. Por, mos lejo që të gjitha këto të largojnë nga Allahu xh.sh., mos lejoni që të gjitha këto t’ju shmangin nga principet fetare dhe njerëzore.
Paramendoni kur Ejubi a.s. mbeti i varfër dhe i palëvizshëm, bashkëshortja e tij u bë shërbëtore për ta ushqyer burrin e saj. Kjo situatë e vështirë zgjati plot 18 vite. Për këtë, vëllezër të dashur, nëse ballafaqoheni me problemet jetësore bëni durim, sepse sprovat tona janë të vogla në krahasim me udhëheqësin e durimtarëve, Ejubin a.s.
Kur neve dikush na ankohet për ndonjë problem, ne i themi: “Bën sabër! shpesh herë dëgjomë “Deri kurë? Nuk mundem më …!
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Durimi është dritë”
Secila vepër dhe për secilën lëvizje duhet durim. Për t’u larguar nga harami nevojitet durim, për bërjen e veprave të mira duhet pasur durim, për kryerjen e namazit, agjërimit, për dëgjimin e hutbes nevojitet durim … jeta jonë në realitet është durim!
Një dijetar ka thënë: A mendon se mund të arrish diç të vlefshme pa durim? Secila reformë vjen me durim, secili sukses vjen me durim, secila lumturi vjen me durim, në të kundërtën asgjë e keqe nuk na ndodhë e të mos jetë shkas i mosdurimit. Dikush vjedh, sepse dëshiron të pasurohet shpejtë pa pasur durim, dikush bënë zina sepse nuk ka durim derisa të martohet, dikush blenë diplomën sepse nuk ka durim të mësoj, dikush konsumon drogën sepse nuk mund të ballafaqohet me peripecitë e dynjasë …
Pra, vëllezër, durimi është aq i rëndësishëm sa që Allahu xh.sh. jetën e një pejgamberi të dashur na e bëri shembull, model të gjallë për të na mësuar që të bëhemi të durueshëm!
Sa herë që Allahu xh.sh. në Kur’an përmend durimin me të vjen fjala ose i tërë verseti i cili paralajmëron fitoren dhe tejkalimin e sprovës si p.sh.: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta edhe nga frytet, por ti jepu myzhde durimtarëve” (El- Bekarë, 155). ose “Vërtetë të durueshmëve do t’ju japim shpërblim pa llogari” Kjo është rruga e suksesit, kjo është rruga e lumturisë. (Të mendojmë për këtë verset dhe ta praktikojmë në jetën tonë).
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Dije se fitorja vjen me durim!” Mos të harrojmë se njëri prej emrave të bukur të Zoti është es-Sabur – Durimtari, dhe mjafton që ne të pajisemi me bukurinë e këtij emri. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Njeriut nuk i është dhënë dhuratë më e madhe se durimi”.
Kthehemi te Ejubi a.s. Bashkëshortja e tij e ndershme ishte aq e lodhur nga puna, nënçmimi sa që një ditë Ejubit a.s i tha: “A nuk je i dërguar i Allahut?” “Natyrisht që jam” ia ktheu ai. “Atëherë përse nuk e lutë Allahun të na lehtësoj vuajtjet tona?” Ejubi e pyeti: “Sa vite kemi jetuar në begati dhe rehati?” “50 vite” tha ajo. “Që sa kohë jemi në vështirësi” “18 vite” u përgjigj ajo. Atëherë Ejubi a.s. thë: “Allahu 50 vite më ka mbuluar me begati, a mos të kemi durim 18 vite? Pasha Allahun nuk do t’i lutem derisa të bëhen 50 vite durim”
Në një rast gruaja ia solli një gjellë të shijshme. Kur e pa Ejubi a.s. e pyeti: “Nga kjo?” “E shita gërshetin tim për bërë këtë gjellë për ty” tha ajo. Ky gjest i bashkëshortes e preku thellë Ejubin a.s., nuk mund t’ia bëjë hallall vetit për vuajtjet e gruas së tij. Vetëm atëherë vendosi t’i drejtohet Allahut xh.sh. për mëshirë dhe ndihmë. Dëgjoni lutjen e Ejubit a.s. të cilën na sjell si shembull Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisanik: “(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më mëshiruesi ndër mëshiruesit.” (El-Enbija, 83). Pra, nuk u ankua, nuk përmendi detalet e vështirësisë së tij. Më tej vazhdon: “Përkujto edhe robin tonë Ejubin kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundime dhe vuajtje.” (Sad, 41) Dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij: “Bjeri me këmbën tënde tokës! Ky është (ujë) i ftohtë, lahesh dhe pi.” (Sad, 42) “E nga mëshira jonë dhe mësim për ata që kanë të menduar Ne ia falëm familjen e tij dhe po aq sa ishin ata” (Sad, 43)
Pas kësaj Allahu xh.sh. ia kompensoi të gjitha. Si një përfundim madhështorë në tregimin e Ejubit a.s. janë fjalët e Allahut xh.sh.: “Vërtet Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti” (Sad, 44)
A keni dëgjuar ndonjëherë lavdërim më të bukur, më përmbledhës, më përmbajtës, më emocionues se ky lavdërim i Allahut ndaj robit të Tij të sinqertë e durimtarë, Ejubit a.s.?
I lutemi Allahut të nderoj me durim i cili do të jetë dritë e lumturisë dhe suksesit në dy jetët, dhe të jemi prej robërve të sinqertë të Allahut të cilët pendohen shumë dhe janë durimtarë……Amin.
Nga Dr. Ali F. Iljazi