Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Duket sikur koha ka ndaluar në Bejrut”

“Duket sikur koha ka ndaluar në Bejrut”

Që kur Izraeli ka nisur intensifikimin e sulmeve ajrore dhe pushtimin tokësor të Libanit, forcat izraelite dhe militantët e Hezbollahut janë përplasur përgjatë kufirit, teksa ushtria libaneze ka qëndruar kryesisht mënjanë. Këto sulme ajrore, që synojnë luftëtarët e Hezbollahut dhe anëtarët e grupeve aleate, kanë ndryshuar peizazhin e Bejrutit

“Le të buzëqeshim, në mënyrë që të dukemi më mirë në fotografi”, bën shaka Marwani, kryekamerier në një hotel të Bejrutit.
Ai dhe kolegët e tij janë duke e shikuar qiellin, në përpjekje për t’i parë dronët vëzhgues izraelitë që bëjnë zhurmë.

As muzika që dëgjohet në prapavijë e as zhurmat e zogjve nuk arrijnë ta zbehin zhurmën e thellë dhe kumbuese. Duket sikur dikush ka lënë tharësen e flokëve të lëshuar, ose sikur një motoçikletë që bën xhiro.

Hoteli i Marwanit nuk është zonë me prezencë të lartë të Hezbollahut.

Ndodhet në Achrafieh, lagje e pasur e krishtere, e cila nuk është shënjestruar nga Izraeli në luftërat e mëparshme.

Por disa ditë më vonë, dy raketa izraelite janë dëgjuar mbi Achrafieh.

Janë dëgjuar britma të fëmijëve dhe të të rriturve në lagje. Njerëzit kanë dalë në ballkonet e tyre ose kanë hapur dritaret për të parë se çfarë është duke ndodhur.

Brenda disa sekondave, një eksplodim i fuqishëm ka shkundur rrugët e rrethuara me pemë.

Të gjithë banorët e ndërtesave kanë shikuar drejt Dahiehut, periferia jugore e Bejrutit e dominuar nga Hezbollahu, i cili shihet nga Achrafiehu.

Por së shpejti banorët e lagjes e kanë kuptuar se zona e goditur është vetëm pesë minuta larg me makinë.

Mediet lokale kanë raportuar se shënjestra ishte Wafiq Safa, një zyrtar i lartë i sigurisë i Hezbollahut, i cili është gjithashtu kunati i ish-liderit të vrarë Hassan Nasrallah. Ai është raportuar t’i ketë mbijetuar sulmit.

Sulmi më vdekjeprurës deri më tani

Ndërtesa që është goditur ishte plot me njerëz, të cilët kohëve të fundit janë larguar nga Bejruti. Nuk është lëshuar asnjë paralajmërim nga ushtria izraelite dhe të paktën 22 persona janë vrarë. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës deri më tani.

“Oh Zot. Po sikur të kishim qenë duke ecur në atë rrugë?” ka thënë një banor. “Unë kaloj në atë rrugë çdo ditë për të shkuar në punë”.

“Cila është garancia që herën tjetër nuk do ta godasin një ndërtesë në rrugën tonë, nëse kanë një objektiv?” ka pyetur një tjetër.

Trazirat e fundit në Liban kanë filluar më 17 dhe 18 shtator, kur një valë me shpërthime të pejxherëve ka vrarë të paktën 32 persona dhe ka plagosur më shumë se 5000 të tjerë, si luftëtarë të Hezbollahut, ashtu edhe civilë. Shumë kanë humbur sytë ose duart, ose të dyja.

Sulmet ajrore janë intensifikuar në jug, si dhe në periferinë jugore të Bejrutit, duke vrarë komandantë të lartë të Hezbollahut, përfshirë ish-liderin Nasrallah. Më 30 shtator, Izraeli ka pushtuar Libanin jugor.

Zyrtarët kanë thënë se më shumë se 1600 njerëz janë vrarë nga bombardimet izraelite gjatë javëve të fundit.

Tri javët e fundit janë dukur “sikur kanë kaluar shumë shpejt”, ka thënë kamerieri, Marwan. “Ne akoma nuk mund ta kuptojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë”.

Marwani ka jetuar atje tërë jetën e tij dhe ka kaluar të gjitha luftërat mes Hezbollahut dhe Izraelit. Por ai gjithmonë ka qenë optimist dhe nuk ka besuar kurrë se ky rund i luftimeve do të përshkallëzohej në luftë.

Peizazhi i Bejrutit ka ndryshuar plotësisht.

“Nuk doja ta besoja, por jemi në luftë”

“Tani e tërheq fjalën time”, ka thënë ai. “Nuk doja ta besoja, por jemi në luftë”.

Rrugët janë të mbushura me makina, disa të parkuara në mes të bulevardeve. Qindra të zhvendosur nga operacionet izraelite në jug të vendit, janë larguar drejt periferisë së kryeqytetit, duke u strehuar në shkolla të lagjeve “më të sigurta”. Shumë kanë filluar të flenë nëpër rrugë.

Në autostradën drejt aeroportit dhe jugut, billbordet akoma kanë fytyrën e Hassan Nasrallahut në to. Si njerëzit pro-Hezbollah, ashtu edhe ata anti-Hezbollah thonë se kjo u duket surreale.

Në zonat e tjera, posterët që më herët kanë shkruar “Libani nuk dëshiron luftë”, tani thonë “Lutuni për Libanin”.

Sheshi i njohur i Martirëve i qytetit – ku zakonisht mbahen protestat dhe festimet e mëdha të Krishtlindjes – tani është kthyer në shesh të tendave.

Familjet rrinë të strukura nën skeletin e pemës së hekurt të Krishtlindjes. Rreth një skulpture në formë të grushtit, e vendosur pas protestave të të rinjve në vitin 2019, ka batanije, dyshekë dhe tenda, të bëra nga çdo lloj materiali që njerëzit kanë mundur ta gjejnë.

Tenda të tilla gjenden gati në çdo qoshe. Shtëpitë e improvizuara shtrihen nga sheshi deri në det.

Shumica e familjeve këtu janë refugjatë sirianë, që janë zhvendosur përsëri dhe nuk mund të shkojnë në strehimore meqë janë të limituara për shtetasit libanezë.

Por shumë familje libaneze kanë mbetur të pastrehë gjithashtu.

Rreth një kilometër larg, Nadine 26-vjeçare po përpiqet ta largojë mendjen nga gjërat për pak orë.

Ajo është një nga klientët e “Aaliya’s Books”, një librari me bar në lagjen “Gemmayze” të Bejrutit.

“Ne vazhdojmë të dëgjojmë eksplodime tërë natën”

“Nuk ndihem e sigurt më”, ka thënë ajo. “Ne vazhdojmë të dëgjojmë eksplodime tërë natën. Vazhdoj ta pyes veten: Çka nëse bombardojnë këtu? Çka nëse shënjestrojnë një makinë para nesh?”

Për një kohë të gjatë, banorët e Bejrutit kanë besuar se tensionet do të jenë të limituara vetëm në fshatrat kufitare, të udhëhequra nga Hezbollahu, në jug të Libanit.

Nasrallahu, që ka udhëhequr organizatën e fuqishme politike dhe ushtarake “Shia”, ka thënë se ai nuk ka dashur ta çojë vendin drejt luftës dhe se fronti kundër izraelitëve po mbahej vetëm për t’i mbështetur palestinezët në Gaza.

Gjithçka ndryshoi.

Në Bejrut, edhe pse sulmet shpesh godasin periferinë jugore, ku Hezbollahu dominon, ata tronditin qytetin – çka rezulton në net pa gjumë për shumë banorë.

Edhe bizneset janë prekur nga sulmet. “Aaliya’s Books” është zakonisht vend me plot njerëz, ku këndojnë bendet lokale, mbahen ‘podcaste’ dhe net ku shijohet vera.

Gjatë 30 korrikut, një sulm ajror në Dahieh ka vrarë një komandant të Hezbollahut, Fuad Shukr. Shpërthime intensive janë dëgjuar, teksa avionët izraelitë kanë thyer barrierën e zërit.

Por bendi i xhazit ka kënduar tërë natën, me klientë që kërcenin jashtë barit të mbushur. Tani vendi është i thatë, pa muzikë dhe pa kërcim.

“Është e trishtueshme dhe frustruese”, ka thënë menaxheri i barit, Charlie Haber. “Vjen këtu për ta ndryshuar humorin, por përsëri përfundon duke folur për situatën. Të gjithë po pyesin, çfarë vjen tani?”

Bari është mbyllur për dy javë, pas vdekjes së Nasrallahut. Tani është rihapur, por mbyllet në orën 20:00 në vend se në mesnatë.

Ditë pas dite, gjendja psikologjike e stafit dhe e konsumatorëve përkeqësohet, ka thënë Charlie. Edhe postimet në Instagram kërkojnë gjysmën e ditës për t’u shkruar, sipas tij, sepse “nuk dëshiron të duket sikur po thua ‘hej, eja dhe shijo vendin, do të të japim zbritje në pije’ në këtë situatë”.

Është vështirë të gjesh ndonjë vend të hapur në këtë zonë.

“Loris”, një restorant i njohur, asnjëherë nuk është mbyllur para orës 01:00 – por tani rrugët janë të shkretuara në orën 19:00, ka thënë një nga pronarët, Joe Aoun.

Tri javë më parë, nuk mund të gjeje tavolinë pa rezervim. Tani, vetëm dy ose tri tavolina janë të zëna çdo ditë.

“Në bëjmë progres ngadalë. Jemi të ulur dhe duke biseduar tani, por ndoshta brenda pesë minutave do të duhet ta mbyllim dhe të largohemi”.

Shumica e stafit të “Loris” vijnë nga periferitë jugore të Bejrutit ose fshatrat në jug të vendit. “Çdo ditë, një prej tyre merr lajmin se shtëpia i është shkatërruar”, ka thënë Joe.

Një punonjës, Ali, nuk ka ardhur në punë për 15 ditë, teksa përpiqej të gjente një vendstrehim për familjen e tij. Ata kanë fjetur nën pemët e ullirit në jug për javë të tëra.

Joe ka thënë se “Loris” po përpiqet të rrijë hapur për ta ndihmuar stafin me para, por se nuk është i sigurt se sa gjatë mund të vazhdojë kjo. Karburanti për gjeneratorët është i shtrenjtë.

Mund ta shohësh frustrimin në fytyrën e tij.

“Ne jemi kundër luftës”

“Ne jemi kundër luftës”, ka thënë ai. “Stafi im nga jugu janë Shia, por janë kundër luftës gjithashtu. Por askush nuk e kërkoi opinionin tonë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne vetëm duhet të vazhdojmë përpara”.

Në “Aaliya’s Books”, Charlie dhe Nadine janë të shqetësuar për rritjen e tensioneve të komunitetit.

Këto pjesë të Bejrutit janë kryesisht të banuara nga myslimanët Sunni dhe të krishterë – por të ardhurit janë kryesisht Shia.

“Unë personalisht përpiqem t’i ndihmoj njerëzit pavarësisht fesë apo sektit, por edhe në familjen time ka ndarje, sa i përket kësaj. Një pjesë e familjes sime ndihmon dhe akomodon vetëm të krishterët e zhvendosur”, ka thënë ajo.

Në sheshet dhe rrugicat e Achrafieh dhe Gemmayze, mund të shihen shumë më shumë flamuj të Forcave Libaneze, parti e krishterë që kundërshton fuqishëm Hezbollahun.

Partia ka histori të gjatë të konflikteve të armatosura me myslimanët Shia, si dhe partitë myslimane dhe palestineze gjatë luftës civile, tri dekada më parë.

Nadine mendon se ky është mesazh për Shiat e zhvendosur që kanë arritur atje së fundmi, duke nënkuptuar “mos ejani këtu”.

Me lëvizjen e njerëzve, ka rritje të shqetësimeve se Izraeli mund të shënjestrojë çdo ndërtesë të cilësdo lagje, gjatë kërkimit të luftëtarëve të Hezbollahut ose anëtarëve të grupeve aleate.

Hezbollahu ka thënë se zyrtarët e lartë nuk rrinë në vendet e vendosura për njerëzit e zhvendosur.

Asnjë nga këto nuk është shenjë e mirë për bizneset lokale.

Shumë banorë në Gemmayze veçse janë prekur rëndë nga shpërthimi në portin e Bejrutit katër vjet më parë, që ka vrarë 200 njerëz dhe ka shkatërruar 70 mijë ndërtesa. Vetëm gjatë kohëve të fundit, ata kanë filluar të rimëkëmben.

Pavarësisht krizave financiare, biznese të reja kishin filluar të hapeshin në zonë – por shumë prej tyre janë mbyllur tashmë.

Maya Bekhazi Noun, sipërmarrës dhe anëtar i bordit të sindikatës së pronarëve të restoranteve dhe bareve, vlerëson se 85 për qind e pikave të ushqimit dhe pijeve në qendër të Bejrutit janë mbyllur ose kanë kufizuar orët e hapjes.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk kemi kryer analiza deri tani, por mund t’ju them se 85 për qind e pikave të ushqimit dhe pijes në Bejrut janë mbyllur ose punojnë me orar të limituar”, ka thënë ai. “Është e vështirë t’i mbash vendet e hapura për gëzim, kur ka shumë njerëz që flenë, pa pasur mjaftueshëm ushqim ose furnizime afër”.

Pavarësisht situatës së vështirë në Bejrut, akoma mund të gjesh restorante dhe bare rreth 15 minuta me veturë në veri. Por Maya ka thënë se kjo është gjithashtu e përkohshme.

“Sulmet mund të ndodhin edhe në zona të tjera gjithashtu. Ka pasur disa sulme në disa vende në veri. Nuk ka garanci se do të jenë të sigurta”.

Është sikur dikush ka prekur një buton dhe jeta ka ndaluar në Bejrut, ka thënë ajo.

“Koha ka ndaluar. Ne jemi në dijeni të luftës në jug – dhe disi na ka prekur edhe neve – por shumë të tjerë si unë nuk e kanë pritur se lufta do afrohej kaq shumë”.

Përktheu: Latra Gashi/koha.net

Exit mobile version