Duke cituar Kartën e OKB-së, Panamaja kundërshton pretendimin e Trumpit për rimarrjen e kanalit

Panamaja ka shprehur kundërshtime në OKB lidhur me pretendimin e presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-ja mund të rimarrë Kanalin e Panamasë, transmeton Anadolu.

Në një letër të së martës drejtuar OKB-së, Panamaja mohoi pretendimin e Trumpit se vendi ka thyer një marrëveshje të vitit 1999 dhe se i ka dhënë kontrollin e kanalit Kinës.

Ambasadori i Panamasë në OKB Eloy Alfaro de Alba ka cituar një rregull të Kartës së OKB-së që kombet duhet të “përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës” kundër “sovranitetit ose territorit” të një shteti tjetër.

Trump, pasi u kthye në presidencën amerikane të hënën, përsëriti kërcënimin e tij për të rimarrë kanalin, duke thënë: “Nuk ia dhamë Kinës. Ne ia dhamë Panamasë dhe po e kthejmë mbrapa”.

Hutchison Whampoa, një firmë nga Hong Kongu, operon dy porte pranë kanalit, në të dy anët, Atlantik dhe Paqësor, por jo vetë kanalin.

Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, tha se ai i kundërshton “plotësisht” komentet e Trumpit, duke deklaruar se “nuk ka prani të asnjë kombi në botë që ndërhyn në administratën tonë”.

“Kanali është dhe do të vazhdojë të jetë i Panamasë”, shtoi ai.

Letra është ndarë me 15 anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke sugjeruar se komentet e Trumpit shkelnin Kartën e OKB-së.

SHBA-ja ndërtoi kanalin dhe menaxhoi zonën përreth për dekada. Në vitin 1977, u nënshkruan marrëveshje me Panamanë për transferimin e kontrollit të plotë, i cili u përfundua në vitin 1999 pas administrimit të përbashkët.

Marrëveshja e vitit 1999 transferoi kontrollin e plotë të kanalit nga SHBA në Panama, duke siguruar neutralitetin e tij dhe sovranitetin panamez.