Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, Patrick Sanders i ka bërë thirrje ushtrisë për të qenë në gatishmëri për t’u përballur me një kërcënim të mundshëm nga Rusia, pas pushtimit të Ukrainës.
Në një letër drejtuar forcave të ushtrisë, Sanders nënvizoi se ata duhet të jenë gati për të mbrojtur vendin dhe për të penguar agresionin rus, shkruan BBC.
“Bota ka ndryshuar që nga 24 shkurti dhe tanimë duhet krijuar një ushtri e aftë për të luftuar përkrah aleatëve tanë dhe për të mposhtur Rusinë në betejë”, u shpreh gjenerali.
Sanders theksoi domosdoshmërinë për mobilizimin dhe modernizimin e ushtrisë për t’i ardhur në ndihmë aleancës ushtarake të NATO-s, në mënyrë që t’i mohohet Rusisë mundësia për pushtime të vendeve të tjera në Evropë.
Pak ditë më parë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin lëshoi një breshëri akuzash ndaj Perëndimit në fjalimin e tij në forumin ekonomik të Shën Pjetërburgut.
Putin tha se Evropa do të humbasë mbi 400 miliardë euro vitin e ardhshëm për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës.
Ai foli edhe për fundin e udhëheqjes së botës nga Shtetet e Bashkuara dhe ritheksoi se Rusia do ta përmbushë pa hezitim misionin e saj në Ukrainë. /euronews