”DROGË NGA FËMIJËT – PËR FËMIJËT”
(Perparim Blakaj)
”Katër dit’ kemi prit me radhë me marr një telefonatë, kem pagu si goxha shtrenjtë edhe nuk vike kurqysh bari as s’dishim sen ma për ata djemt” – tha i riu rebel A.M, nxënës i klasës së shtatë nga Prishtina, i cili pohoi që kishte disa ditë që po priste një telefonatë nga ”dileri i Kodrës së Trimave”. Atij asesi të ia përmende emrin nga frika ose besnikëria dhe që po priste ditën ku do të caktohej vendi i shkëmbimit të mallit dhe parave, me gjasë do të jetë afër rrugës: ”Imzot Nikë Prelaj”, aty ku herën e fundit afër një ”shpie t’kalltë u patëm pa për s’shpejti”. Kështu vazhdoi të pohonte ai, ndërsa termin: ”ata djemt” e përdorte me gjasë për njerëzit që mbanin në kontakt për një porosi të re. Për tu ditur, ky fëmijë është dymbëdhjetë vjeç, në shkollë fillore dhe po pret një porosi droge.
Të rinjtë prishtinas, përkatësisht fëmijët e shkollave fillore me të cilët biseduam qetësisht dhe shoqërisht, drogën e quajnë ”bari” dhe tashmë nuk frikësohen aspak që këtë fjalë ta përmendin edhe publikisht, në praninë e të tjerëve por disi më ndryshe, në një formë tjetër. Në zhargonin e rrugës, me emra të tjerë të ngjajshëm, ”sinonimik”, që kishin kuptimin e njëjtë megjithëse ishin shpeshherë abstraktë për t’u kuptuar drejtë nga të gjitha shtresat, si për shembull: ”Të bahesh HIGH be njeri”, ”Chill mas m’simit”, ”Me e smokit”, ”whyyst”, ”do tima mas shkolle”, ”chillin’ out’, ”te veni” etj. Këto dhe shumë terma të tjerë që kurrsesi nuk i takojnë gjuhës së një nxënësi të mirëdukuar dhe të arsimuar drejtë, po përdoreshin si gjuhë e zakonshme mes bisedash edhe më të zakonshme. Këta fëmijë përdorin gjuhë të tmerrshme, sharje dhe fyerje në çdo fjali, zemërim dhe pak e hiç edukatë, një gjuhë të ashpër e të urrejtjes dhe gjithmonë këtë e bëjnë me shumë krenari e bindje. Kjo ata i bën njerëz që shprehen lirshëm për punën që bëjnë.
”Burra” dhe ”gra të zonja” brenda grupeve gheto!
Të futeshe thellë brenda grupeve anarkiste ishte e rrezikshme paksa sepse këto grupe brenda shkollave fillore mund të kishin një fillim por se ku ishte fundi i tyre nuk mund të merrej me mend. Ata konsiderojnë vetën ”grupe gangu” ose grupe të rrugëve, grupe të fshehta e të izoluara – në gheto, që ”mirren me punë të shpejta e drejtësinë e vendosin me kanune të veta” dhe që qëllimin e tyre të vetëm siç shprehet njëri nga ta, M.K, e kanë: ”të jenë në qendër të vëmendjes absolute nga shoqëria e poshtër që nuk i do”. Shoqëri kjo, që gjoja po i nënvlerëson ata si njerëz të pavlerë, që shkolla i ka mësuar pak dituri ”të kota qaty për qaty” dhe rruga i kishte bërë ”burra” dhe ”gra të zonja”, duke u dhënë mundësi të njiheshin dhe të bëheshin të famshëm në mesin e shoqërisë dhe të arrinin ëndrrat e tyre. Rreziku më i madh për nxënësit e tjerë vie nga ata rebelë, që siç shprehet gjashtëmbëdhjetë vjeçari J.Z : ”Që nuk i tuten kërkujt hiç, që dalim edhe kush na nguc, kryt nuk e lajmë me qu ksajde ma, a po kupton?”. Fëmijët bëjnë pjesë në organizata rebele që udhëhiqen nga shokët e tyre më të mëdhenj ose moshatarë e madje edhe nga disa të shkollave të mesme (u përmend ”Gjimnazi Sami Frashëri” dhe ”shefat” e ”Gjin Gazulli-t”), që çuditërisht ”ata nuk i njihnin mirë”. Për të fituar besimin e nxënësve, ata detyrohen të kryejnë disa punë të ndryshme si: të jenë pjesë e aksioneve të bullistëve – dukuri kjo tashmë e pazgjidhur në shkollat e Prishtinës e të Kosovës në përgjithësi, të rrahin dikë apo të ngacmojnë dikë tjetër për qëllime të ndryshme derisa ata të fitojnë shpërblime si mbrojtje nga grupi, famë në shkollë si njerëz të dhunës dhe prijës i shoqërisë. Gjithashtu, ata në fund të fundit do ”të shpërblehen” edhe me lëndë narkotike ose femra që ata i quanin në mënyra fyese (bit**at tonë që rrina përditë), blerje-shitje brenda dhe jashtë shkollave përkatëse ose ”falas për dosta”.
”Ne jemi gang v’lla, kush na ngucë ia **** (fjalë fyese dhe sharje), nuk guxon askush me u sill kah mahalla jonë kur jemi bashk, dihet cka i gjon ata” – këto e shumë fjalë të tjera tha M.K, fjalë që janë të rënda vetëm kur i dëgjon nga një fëmijë i klasës së nëntë vetquhet: ”M Gang”, që shoku i tij e quan si njeri besnik, i fortë ”me u rreh” me djem dhe mbrojtës i tij kur kemi konflike brenda shkollës ose me ndonjë grup të shkollave tjera. Këtë emër e kishte marrë sipas një reperi të ri kosovar që atë e quan ”Baba” (në kuptimin njeri i madh, i pazëvendësueshëm, ”i rrugës”), dhe e quante me gjithë seriozitetin, si: ”pjesë të shpirtit dhe zemrës së tij, njeri që e udhëzoi në qështjet e rrugës dhe e bëri të pavarun”, me kërkim e bërë, ishte fjala për një persona të ashtuquajtur këngëtar i zhandrit hip-hip Fero, që fundja ishte një adoleshent rebel i famshëm dhe, jo si dikush që duhet çmuar e mbivlerësuar për vlerën që përfaqëson.
Nxënësit nuk u besojnë Institucioneve të Arsimit në Kosovë!
Shqetësuese është fakti që nxënësit e shkollave fillore nuk po u besojnë më institucioneve të arsimit që fokusin e tyre e kanë vënë në infrastrukturën shkollore, reforma e zbatim kurrikulash dhe nuk i konsiderojnë ato institucione si rruga e vetme për emancipimin e tyre dhe ngritjen në shoqëri si pjesë e shoqërisë së arsimuar mirë dhe si shtyllë e kombit. Është e pranuar tashmë se popujt pa arsimim janë popuj ‘të vdekur’, popuj të ngecur prapa në kohë që asesi të dalin nga problemet. Përveç humbjes së besimit në Institucionet Arsimore në Kosovë, listohen edhe një numër i madh i problemeve me të cilat ballafaqohet arsimi sot, si: politizimi i plotë i arsimit, mungesa e kuadrove profesional, politizimi dhe çkombtarizimi i teksteve dhe përmbajtjeve mësimore, mungesa e ri-edukimit në shkolla, muzika e dëgjuar, braktisja e shkollave, varfëria e madhe, shpërndarja e ideologjive të dëmshme ndër fëmijë, narkotikët etj. Këto dhe shumë arsye të tjera kanë sjellë arsimin në Kosovë në një gjendje të tmerrshme, ndoshta, edhe në një gjendje kolapsi megjithëse asesi të pranohet nga institucionet përkatëse si gjendje alarmante.
Mos keni ardhur për ta rrahur dikë që ua ka prish qejfin?
Në të shumtën e rasteve, pas përfundimit të mësimit T.A dhe shoku i tij i ”skuadrës” O.K, dalin gjithmonë tek oborri i shkollës së tyre për të kaluar kohën e lirë. Në kohën kur këta të dy, dymbëdhjetë respektivisht trembëdhjetë vjeç, nxënës të Shkollës Fillore: ”Ismail Qemali” në Prishtinë, duhet të ishin në shtëpi duke kryer detyrat e shtëpisë dhe t’i kryenin obligimet e përcaktuara nga mësimdhënësi, ata kalojnë tërë kohën në oborrin e shkollës duke bashkuar shokët e klasës dhe të shkollës në oborr e duke i nxjerrur ata nga shtëpitë e tyre. Të dy pohuan se ishin aty për të luajtur futboll me shokët e tyre, por rrobat e tyre aspak nuk ngjasonin me pamjet e një futbollisti.
Mos keni ardhur për ta rrahur dikë që ua ka prish qejfin? (për qerim hesapesh) – i pyeta në një gjuhë që u përshtatej pamjes së tyre dhe ata mu drejtuan: ”Pse, çka po t’duhet ty, mos t’ka qu kush ty?”. Fëmijët e argumentuan edhe njëherë se janë lehtë të manipuluar nga çdokush, problem tjetër ky që fëmijët i bën të bien pre e dukurive negative. Pas pak kohe, në fushën e lojës u paraqitën edhe katër persona të tjerë, me gjasë ”kishin ardhur t’i bashkoheshin lojës së futbollit”. Dy vajza të veshura në stilin e rrugës me veshje të gjerë dhe pamje ”gangu” dhe dy djem të moshës më madhore, rreth 15-17 vjeç të cilët pas disa bisedash u futën në një makinë të bardhë të tipit Benz, dhe vazhduan me shpejtësi, duke u larguar nga vendi e duke më shikuar të zemëruar.
Muzika, degradim apo mësim?
Në udhëzimet që prindërit duhet ti marrin nga shkollat është edhe kontrollimi i fëmijëve të tyre në atë se çfarë hulumtojnë në internet gjoja për punime hulumtuese të dhëna nga mësimdhënësit, nga muzika e dëgjuar që shumë nga mësimdhënia bashkëkohore udhëzojnë fëmijët të dëgjojnë muzikë derisa i kryejnë detyrat e matematikës, kjo nuk shihet si diçka shqetësuese për shoqërinë por në momentin që youtube hapet ose rrjetet sociale si: Facebook, Instagram dhe Snap Chat, fëmijët do të hasin në persona të cilët i shtytin të bëjnë gjëra jashtë edukimit, hulumtimit dhe në kundërshtim të plotë me ato që mësojnë në shkolla. Duke përmendur këtu disa artistë shqiptarë, që fëmijët i konsideruan si njerëzit më të dashur dhe idolet e tyre: F. (nxënësit e klasës së 4-rtë nga Shkolla Fillore Naim Frashëri përserisnin tekste e tij të pista dhe denigruese, së bashku tek shkallët e hyrjes në shkollë), Elinel, Duda, Unikkatil, Buta e Ledri – artistë prishtinas shumë të njohur për tekste të mira e ritmike, por gjithashtu edhe fyese, ngjarje rrugësh dhe yshtje të të rinjëve që t’u bashkohen rrugëve, të përdorin narkotikë dhe të jenë pjesë të grupeve të tilla si: Label TBA, OTR, PINT etj, që brenda tyre kanë njerëz të shumtë të njohur nga fëmijët si idolet e tyre të pazëvendësueshëm. Nuk mund të gjeshë fëmijë që nuk njohin këngët e Unikkatilit, Noizyt dhe Tunës, Gjikos, Feros, Ledrit e Gold Ag. Të gjithë këta dhe shumë të tjerë, njerëz të përmendur edhe nga artistët ndërkombëtarë, ishin njerëzit që këta fëmijë idolozonin më së shumti dhe konsideronin së janë ‘model jete’. Format më të shpeshta të dhunës siç janë përmendur në hulumtimet që zakonisht ndodhin janë: ngacmimi, detyrimi, përndjekja, dhuna psikologjike, dëmtimi, shkatërrimi i pasurisë, dhuna fizike… Por, duke mos harruar vrasjet që vetëm po shtohen dita e ditës si në Prishtinë dhe në gjitha rajonet e Kosovës, duke ia shtuar muzikën ndër faktorën kyç të shtytjes për prishjen e rendit.
A kanë dëshirë fëmijët të shkojnë në shkollë?
Përderisa në vitin shkollor 2002/2003 shkollën e kishin lënë 1,554 nxënës pas një dekade në vitin 2011/2012 shkollën e kanë braktisur 2,642 nxënës. Rritja e numrit të nxënësve që braktisin shkollën vërehet që nga viti 2007, kur numri ka qenë 2,425, duke u rritur në vitin 2008 në 3,321, në vitin 2009 -3,246, në vitin 2010 numri i nxënësve që për arsye të ndryshme kanë lënë shkollën ishte 3,208, kurse në vitin 2011, shkollën e braktisën 3,135 nxënës. Ky proces sa shkonte duke u përkeqësuar edhe në vitet në vazhdim kur Kosovën e lëshuan mbi 200,000 njerëz nga ta mijëra fëmijë. Kështu, ky shqetësim ishte pjesë e strategjive vite e vite me radhë por tanimë shqetësim mbetet edhe për këta fëmijë të mbetur në shkolla. Si do të vazhdojë edukimi dhe arsimimi i tyre? Kush po përkujdeset që fëmijët tanë të dështojnë dhe të jenë pjesë e grupeve ekstreme të dhunës? Ku qëndron faji, prindërit apo mësimdhënësit, politika apo institucionet arsimore? Le t’i pyesim fëmijët, duke ditur që është obligativ shkollimi fillor, a kanë dëshirë ata të shkojnë në shkollë?