Ballina Artikuj Drogaxhinj të helmuar

Drogaxhinj të helmuar

Ibrahim Xhepmetaj

Kam dalë në përfundimin se, që të gjithë ne jemi të droguar. Ndryshojnë drogërat, masa, varësitë, niveli varësisë, por padyshim s’ka njeri që s’përdor një drogë. Drogë është gjithçka e pashëndetshme që nuk shëron, por në emër të saj vret ose trajton, pa e çrrënjosur të keqen, pa e nxjerrë helmin. Dikush përdor drogë për tu bërë më i fortë, më i shkathët, dikush për t’u ndjerë më trim, për të minimizuar dhe hequr një dhimbje fizike, shumica prej nesh këtë njohim për drogë. Por edhe alkooli, konsumi i të cilit në masë nga njerëzit për shkak se pezullon “dhimbjet e shpirtit” në thelb është drogë. Dehja në vetvete është shkëputje nga realiteti, arratisje e përkohshme nga problemet, ne e kemi më të lehtë të presim degët e kalbura se të shkulim rrënjët e këqija dhe të zhdukim farat e saj. Drogë është çdo gjë që krijon varësi fizike, mendore emocionale, shpirtërore, që dëmton shëndetin në një formë a tjetër, po të kemi parasysh se shëndeti është mirëqenia e tërësishme (fizike, psikologjike, sociale). Varësia është helm i cili e robëron njeriun nga e vetëdijshmja dhe harmonia, paqja e të brendshmes me të jashtmen e tij. E kundërta e drogës është ilaçi, e kundërta e varësisë është çlirimi-liria.

Çdonjëri nga ne është i varur, drogaxhi, i sëmurë, i helmatisur. Dikush vuan nga një mendim, përjetim, damkë, fiksim, ves, cen, pasion, dikush nga dashuria e gënjeshtërt.

Rumi poeti mistik i urtë kur e pyetën ç’ka është helmi tha: “Çdo gjë përtej nevojës (shëndërrohet) është helm. Mund të jetë pushteti, pasuria, uria, egoja, lakmia, xhelozia, përtacia, dashuria, ambicja, urretja apo gjithçka tjetër.” Droga është kura e gabuar për sëmundjen e njëjtë. Sëmundja që të shërohet do ilaçin e vet. Mirëpo, padyshim se “çdo sëmundje e ka ilaçin” thoshte profeti Muhamed, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të. Pra nuk është problemi tek “i droguari” apo “helmi” sa ç’është tek kërkimi dhe gjetja e ilaçit të duhur. Sëmundja nuk është shkatërrimtare në vetvete, sëmundja të mundon, është ilaçi që i jep emër sëmundjes jo anasjelltas. Mirëpo siç parajsa është e rrethuar me vështirësi (sakrifica) dhe ferri me kënaqësi dhe lehtësira (tundime), mos prit ilaçe të ëmbla për sëmundje të hidhura.

Edhe unë jam i droguar, i varur, njësoj si ju, mos më pandehni që ju shkruaj, se jam i lirë dhe i shëruar. “Çdo bir i Ademit është gabimtar, (helmoset dhe në vend të ilaçit drogohet), më i miri është ai që pendohet (kthehet tek Krijuesi, burimi, kërkon shërimin dhe kështu përmirësohet -shërohet). *Hadith. Pra nuk është çështja a jemi të sëmurë apo jo, cili është apo nuk është i varur nga ndonjë drogë, po ejani të kërkojmë shërim, të duam së pari të shërohemi, të urrejmë sëmundjen dhe helmin jo bartësit e saj, se kështu ndihmojmë sëmundjen. Të bëhemi si mjeku i mirë, doktor i vetes që pasi sigurohet të njohë mirë sëmundjen (helmin, drogën) duke analizuar mirë prejardhjen, shkakun dhe pasojën, i qaset pacientit me dashuri, duke dashur ta shpëtojë atë nga sëmundja, lufton sëmundjen dhe kuron të sëmurin, e shëron atë dhe vret sëmundjen. Kështu, s’mund ta luftojmë të keqen pa dashur më parë të mirën, njëkohësisht duke urryer të kundërtën e saj. Si rrjedhim s’mund të kemi prognozë të mirë nëse se njohim dhe duam veten. Dashuria ndaj vetes (e për pasojë edhe ndaj të tjetëve) nuk shprehet duke i mohuar shpirtit atë që e çliron, zemrës atë që e rehaton, mendjes atë që kërkon, trupit atë që e qetëson. Mohimi i realitetit, përgënjeshtrimi i vetes vetëm sa ja shton njeriut sëmundjet, vuajtjet, ja vështirëson rrugëtimin drejt vetes, pengon dhe largon atë nga lumturia e vërtetë, e cila arrihet duke njohur dhe më pas ndjekur rrugën e drejtë, e cila e çon njeriun në destinacionin e duhur, e sëmundjet e ndryshme, drogërat, helmet janë lëngata të kësaj rruge, e brejnë shpirtin, e sëmurin zemrën, e dhunojnë mendjen dhe e ligështojnë trupin. Unë kam një ëndërr të madhe. Të arrij lirinë e vërtetë, të ç’lirohem nga çdo prangë varësie të çdo droge, e të shërohem nga çdo helm që sëmur, sikurse uroj e ja urrej vetes, çdokush që konsumon “helm” të gjejë “mjaltin”, sepse askush në këtë botë, sikur vërtet të dinte shijen e hidhur që lë “droga” s’do zgjidhte atë në vend të ilaçit.

Përfundim: Përbërësi esencial i çdo kure, për çdo sëmundje është dashuria e sinqertë.

Autor: Ibrahim Xhepmetaj

Exit mobile version