Drita vs. Prishtina – Spektakli i merituar në “Fadil Vokrri”

Kampionja e Superligës së Kosovës Drita ka arritur që ta fitojë edhe supërkupën e vendit në ballafaqim me fituesit e kupës Prishtinën.

Ndeshja ishte e veçantë edhe për faktin se u luajt në stadiumin e rinovuar të qyteti, emërtuar sipas legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrrit.

Prishtinasit e nisën mirë takimin dhe në minutën e 33-të me një gjuajte të fortë nga distanca tundi rrjetën sulmuesi kongolez Gauthier Mankenda.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të Prishtinës, por rezultati ka mundur të jetë shumë më i thellë pasi kryeqytetasit goditën edhe tri herë të tjera metalin.

E dyta pjesë nuk i ngjau aspak të parës dhe kampionët në fuqi filluan ta marrin kontrollin e lojës.

Mesfusha e gjilanasve nisi të funksiononte dhe pasimet e sakta u shpërblyen me një aksion që çoi në një penalti ku bashkë me referin fishkëlluan edhe shumë tifozë të pakënaqur, njofton Klan Kosova.

Penaltia ishte e dyshimit, por jo edhe Fidan Gërbeshi që minutës së 69-të ia dha rezultatin 1-1.

Loja po shkonte kah fundi i barabartë, por bardhëekaltrit e Gjilanit kishin në mendje një befasi për mirëpritësit.

Betim Haxhimusa betonoi rezultatin final të ndeshjes në minutën e 82-të për të gëzuar gjilanasit në llogari të dëshpërimit prishtinas.

Ndeshja u përcoll me jo pak probleme dhe dy herë u desh të ndërpritej fare, pasi tifozët e entuziazmuar nga rezultatit e të tjerë të dëshpëruar prej tij, ndezën fishekzjarre e mjete të tjera timlëshuese.