Drita natyrale mbron nga depresioni

Studimi: Ekspozimi ndaj dritës artificiale shton çrregullimet e shëndetit mendor

Drita natyrale mbron nga ankthi, depresioni e çrregullimet mendore. Një studim e ka faktuar, ndër të parët e realizuar në këtë fushë, nga universiteti i Monash University i Melbourne, që vë në pah edhe njëherë faktin aq të thjeshtë dhe natyral, që njeriu lindi dhe jetoi që në krye të herës duke ndjekur ciklin e diellit, nga agimi në perëndim.

Ndërkohë sot ritmet tona kanë ndryshuar, duke qëndruar në mjedise të mbyllura dhe pjesë të kohës nën dritë artificiale, me rrezatime blu, që ndërhyn tek ritmi fiziologjik, me pasoja për të gjithë sistemin, përfshirë trurin.

Sipas autorëve të studimit, drita kushtëzon thellësisht psikologjinë tonë dhe ekspozimi më i madh ndaj dritës artificiale ka lidhje të drejtpërdrejtë me një numër shumë të lartë pacientësh që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, kryesisht ankth, depresion dhe shqetësime të tjera më të rënda. Ndërkohë që një ekspozim më i gjatë në dritën e Diellit, përkon me njerëz që kanë kryesisht një cilësi jete më të mirë.